Mospajtimi i parë Rama - Kurti, ‘Mini-Schengeni Ballkanik’

Një lojë fjalësh në konferencë për shtyp e ka shpërfaqur mospajtimin e parë mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, rreth idesë për një “mini-shengen ballkanik”.

Dy kryeministrat shqiptar, Albin Kurti e Edi Rama nuk janë pajtuar kur është përmendur tema për “Mini Schengen Ballkanik”.

Derisa kryeministri kosovar ka përmendur si më të rëndësishëm një ‘makro-schengen shqiptar’, Rama është përgjigjur se nuk mund të ketë një të tillë, pa një schengen rajonal.

“Ishte një temë që e diskutuam shkurtimisht, më shumë kemi folur, le të themi për makro-schengenin shqiptar sesa për minishengenin ballkanik”- ka thënë Kurti para gazetareve të martën.

Por, ndryshe mendon kryeministri nga Shqipëria, Edi Rama.

“Është e vërtetë që në këtë pikë ne kemi një diskutim për të çuar përpara. Unë besoj që nuk ka makro-schengen shqiptar, pa mini-schengen Ballkanik. Këtë fjalën “mini” nuk e di kush e vuri, unë edhe për shkak të gjatësisë nuk jam i prirur të bëj gjëra “mini”. Besoj që makro-schengeni shqiptar është i lidhur ngusht me schengenin rajonal”- është përgjigjur Edi Rama.