Mospajtimet në mes të banorëve lënë në gjendje të keqe rrugën 'Behamir Memaj' në Prizren

Rruga “Behamir Memaj” në lagjen Jeta e Re në Prizren është në gjendje shumë të keqe.

Në adresë të KALLXO.com kanë ardhur disa fotografi të gjendjes së rrugës, ndërsa sipas raportuesit kjo rrugë gjatë kohës kur ka të reshura të shumta bore ose shiu është vështirë e kalueshme.

KALLXO.com ka kërkuar informacione në komunën e Prizrenit me datën 12 mars duke e përsëritur më pas kërkesën edhe më 8 prill, por në asnjërën prej kërkesave nuk kemi pranuar përgjigje.

Më pas KALLXO.com ka ripërsëritur kërkesën me datën 19 prill e në përgjigjen e Komunës së Prizrenit për kërkesën e kësaj date thuhet se komuna ka tentuar dy herë të realizojë këtë projekt për ndërtimin e rrugës e shtrirjes së rrjetit të kanalizimit, po që kanë hasur në pengesa nga pronarët.

“Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dy herë kemi tentuar që ta realizojmë këtë rrugë me infrastrukturë por kemi hasur në problem me pronarë, të cilët nuk kanë lejuar kalimin e gypave të kanalizimit dhe ndërtimin e rrugës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

Po ashtu, Komuna e Prizrenit është shprehur e gatshme për rregullimin e kësaj rruge nëse ka pajtueshmëri në mes të banorëve dhe se nëse banorët do të dërgojnë në komunë një dokument të vërtetuar nga noteri për pajtueshmëri.

“Nëse banorët mund ta sigurojnë një deklaratë nga pronarët për lejimin e rregullimit të rrugës dhe infrastrukturës të vërtetuar në noter, ne si Drejtori e Shërbimeve Publike jemi të gatshëm që menjëherë të fillojmë punimet në kuadër të kontratave kornizë të cilat i kemi aktive”, thuhet më tej në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Komuna e Prizrenit se a janë munduar ndonjëherë të arrijnë ndonjë marrëveshje me banorët në mënyrë që ta rregullojnë rrugën, por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

KALLXO.com ka vizituar këtë rrugë për mundësinë e realizimit të intervistave me banorët, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se rasti është duke u trajtuar nga organet gjyqësore.

Fotografitë janë realizuar me datën 30 prill.

Fotografitë më poshtë janë realizuar me datën 10 mars*