Ilustrim
Deklarimi i pasaktë i Partisë së Serbëve të Kosovës për zëvendësimin e tabelave në veri
Më 15.03.2024, Partia e Serbëve të Kosovës (arkive) ka publikuar një postim në rrjetin social Facebook lidhur me aksionin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për zëvendësim të tabelave të rrugëve në veri. Këtë aksion, kjo parti e ka konsideruar si “fushatë për heqjen e gjuhës serbe në veri të vendit”.
“Sot, në ditën e dytë të fushatës për heqjen e gjuhës serbe në veri të Kosovës” – thuhet në postimin e Partisë së Serbëve të Kosovës të datës 15.03.2024, që udhëhiqet nga Aleksandar Jabllanoviq.
Pretendimi i kësaj partie se “po hiqet gjuha serbe” në veri të vendit nuk qëndron pasi tabelat e reja përmbajnë emrat e vendbanimeve në dy gjuhë, fillimisht në gjuhën shqipe dhe poshtë saj në gjuhën serbe.
Më 14.03.2024, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte njoftuar në Facebook se shenjat e komunikacionit që janë vendosur nga Serbia janë zëvendësuar me shenjat zyrtare të vendbanimeve konform ligjeve të Kosovës.
“Si MMPHI kemi marrë përsipër që në veri dhe në tërë territorin e Kosovës, të largojmë të gjitha shenjat e komunikacionit të shtetit të Serbisë, duke zëvendësuar kështu me shenjat zyrtare të vendbanimeve konform ligjeve të Kosovës. Do të vazhdojmë edhe ditëve në vijim deri në zëvendësimin e të gjitha shenjave” – thuhet në njoftimin e publikuar nga ministri Aliu më 14.03.2024.
Në të njëjtën ditë, më 14.03.2024, KALLXO.com kishte kontaktuar me Komisionieri për gjuhë, Slavisha Mladenoviq. Ai për KALLXO.com tha se zëvendësimi i tabelave është hap i nevojshëm për shkak se deri më tani kanë qenë vetëm në një gjuhë.
Tabelat e vendosura në veri kanë qenë vetëm në gjuhën serbe, në alfabet latin dhe cirilik dhe nuk kanë qenë në gjuhën shqipe, edhe pse është gjuhë zyrtare në Kosovë.
“Në parim, zëvendësimi i tabelave është hapi i nevojshëm sepse janë kanë vetëm në një gjuhë. Siç presim me qenë një tabelë në dy gjuhë edhe në Prishtinë, edhe në Ferizaj po presim me qenë edhe në veri të Kosovës, por në parim në Kosovë vlen barazia e gjuhëve zyrtare, e që dmth e kanë një peshë gjuha shqipe dhe gjuha serbe në ato tabela”- kishte deklaruar Mladenoviq për KALLXO.com më 14.03.2024.
Duke iu referuar nenit 59, paragrafit 9 të Kushtetutës së Kosovës, Mladenoviq theksoi se si parashihet rënditja e emrave në këto tabela.
“Ato shenjat në veri të Kosovës, duhet të jenë së pari në gjuhën serbe, pastaj në gjuhën shqipe. Gjuha e shumicës së banorëve është gjuha primare. Renditja e gjuhëve të vendosura sipas meje është e gabuar edhe duhet me ndërru renditjen” – ka shtuar ai.