Qendra për Angazhimin e Komuniteteve - Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, Qendra për Angazhimin e Komuniteteve bën bashkë gra e vajza për trajnime e për t'ua promovuar vlerat

Dhjetëra gra dhe vajza hyjnë në Qendrën për Angazhimin e Komuniteteve në Mitrovicë për të marrë trajnime, për sesione informuese e ngritje të kapaciteteve në mënyrë që t’i promovojnë vlerat dhe punët të cilët i kryejnë në jetën e përditshme.

Interesimi për temën e bullizmit e shembujt që merreshin nga ky fenomen ngjallte interesim për çdo grua të çfarëdo lloj moshe. Dëgjimi me vëmendje teksa fliste psikologia e ndërhyrja e tyre duke bërë pyetje e karakterizonte këtë ligjeratë e cila u mbajt sot.

“Këtu kam mësu gjithçka”- thotë 70-vjeçarja Emine Tahiri.

“Unë kënaqna, vij këtu, relaksohna, vij këtu mësohna, bashkëpunojmë. Unë e kam shoqatën ‘Gratë e Minatorëve’. Këtu kam mësu se qysh me punu online, qysh m’e gjetë klientë, kam mësu qysh me plotësu ni formular”- shtoi ajo.

E Kimete Alia thotë se në këtë Qendër e ka përvetësuar të nxënit për barazi gjinore.

“Unë kam ardhë që me arritë diçka në jetë se boll kam nejtë mëshelë, edhe unë jam e aftë. Po du me u aftësu, po du me iu tregu që unë di, du dhe ia dal. Unë merrna me blegtori dhe bujqësi. Më ka ndihmu që unë muna me arrit edhe pa ndihmën e bashkëshortit. Për aftësimin e gruas, për me ecë përpara, që mundemi ma ia dalë vetë. Mësova për bullizmin sot, qysh me u sjellë me njerëz, qysh mos m’e e ul kurrëënd, mos m’e neglizhu kurrkënd”- ka thënë Alia.

Gjuhën e biznesit e hartimin e biznes-planit, Merita Çabra thotë se e ka mësuar në këtë Qendër.

“Kemi bo trajnime të cilat i kemi të nevojshme për biznes. Unë merrem me punimin e pemëve dhe perimeve. Zakonisht Qendra na drejton se qysh bohen format e aplikimit nëpërmjet trajnimeve për grante. Gjëja ma e mirë që më është sjellë këtu është gjuha e biznesit. Senet që na kena pasë nevojë deri tash me i pagu me të holla, i kena mësu në Qendër qysh mundem me i bo vet, për shembull plotësimi i biznes-planit paguhet shumë shtrenjtë, qysh bohet, çka bohet, sa paguhet, cilat janë kriteret që biznesi duhet me i përmbushë për me apliku për grante”- ka thënë Çabra.

Valbone Sadiku, koordinatore e Qendrës, ka thënë se gratë mund të marrin trajnime dhe sesione informuese për çfarëdo teme që atyre u intereson.

“Kanë me u mbajtë 30 punëtori, 30 tema të cilat janë përzgjedhur nga sesionet informuese të cilat kanë qenë paraprakisht në vitin 2023. Temat janë përzgjedhur nga vetë gratë dhe vajzat dhe tash në vazhdimësi me kalendarin e planit të punës, ku çdo muaj planifikohet nga Qendra. Kemi me i zgjedhë temat, të cilat pastaj kanë me u trajtu. D.m.th. të gjitha temat janë përzgjedhë ekskluzivisht nga gratë dhe vajzat. Të drejtat themelore të grave, qasja dhe e drejta pronësore, dhuna në familje, parandalimi, bullizmi, puna vullnetare, hartimi i një biznes-plani”- theksoi Sadiku.

Ndryshe, Qendra për Angazhimin e Komuniteteve (QAK) është financuar nga Komuna e Mitrovicës, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm dhe Projekti Integra.