Mitrovica - 24-03-2020

Mitrovica me rregulla të reja për distancën ndalohet shisha bar

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka mbajtur mbledhje të radhës me Shtabin Emergjent të Komunës së Mitrovicës, ku kanë marrë masa shtesë në parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Sipas njoftimit të komunës, në secilin lokal të gastronomisë inspektorët komunal do  të vendosin pikat për krijimin e distancës së duhur në mes tavolinave dhe  në qoftë se nuk përfillet ky rregull nga ana e bizneseve, ato nuk do të gjobiten, por do të mbyllen.

Përveç kësaj nga sot ndalohet përdorimi i shisha- bar në ato lokale të cilat kanë pajisje të tilla, pasi që konsiderohet rrezik potencial për infektim të të rinjve.

Komuna ka kërkuar nga Policia që të monitoroj dhe t’i mbaj nën kontroll të gjitha rastet e prekura me virusin COVID-19, duke mos i lejuar të dalin nga shtëpitë e tyre deri sa të shërohen plotësisht.

Drejtori i Arsimit, Egzon Jashari, ka informuar për vendimin e Qeverisë lidhur me anulimin e testit të Arritshmërisë për shkak të situatës aktuale me pandeminë, dhe se regjistrimi i nxënësve në klasë të 10-ta do të bëhet nga data 17-21 gusht, duke u bazuar në kriteret, suksesin e përgjithshëm dhe suksesin e lëndët prioritare. Përveç kësaj pranimi i aplikacioneve të kandidatëve do të bëhet në përputhshmëri të plotë me manualin për masat mbrojtëse anti COVID-19.

Ndërsa për hapjen e së çerdhes publike, sipas tij ka mbetur vetëm pajisja me libreza sanitare, dhe së shpejti parashihet hapja e saj.

Me këtë rast, Shtabi Emergjent i Komunës së Mitrovicës kanë shprehur edhe shqetësime për grumbullimin  e njerëzve të shtunën për shpërndarjen e albumit të këngëtarit Mozzik.

“Në eventin e mbajtur ditën e shtunë kanë qenë të pranishëm një numër i madh i të rinjve, duke mos aplikuar dhe respektuar masat parandaluese, dhe si të tillë Shtabi komunal e konsiderojnë të pa tolerueshëm dhe të pa pranueshëm këtë organizim për të cilin nuk ka qenë në dijeni aspak komuna, dhe se bie ndesh me gjithë ato të cilat kemi kërkuar nga qytetarët” thuhet në njoftim.

Në Mitrovicë numri i rasteve pozitive me COVID-19 në total është 531, prej tyre 311 janë të shëruar si dhe 199 raste aktive pozitive.

Ndërsa, në të gjithë Kosovën janë shënuar gjithësej 10.419 raste me COVID-19 dhe 341 raste të vdekjes.