Foto: Atdhe Mulla

Misteri i zhdukjes se thonjëve të Astrit Deharit

Shumë mostra, janë marrë dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për të kryer ekspertizën për vdekjen e Astrit Deharit.

Por, në raport përmendet se thonjtë e Astrit Deharit, ish- aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë dërguar në institut.

Në fakt instituti në raportin e tyre kanë përmendur se është pranuar një zarf ku supozohej se ishin mbetjet e thonjve të Astrit Deharit por që ato nuk janë gjetur brenda zarfit.

Pranimi i këtij zarfi është bërë me 22 maj ndërsa hapja e zarfeve është bërë me 1 korrik të këtij viti.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga prokurori i rastit Metush Biraj por ai nuk ka pasur qasje gjatë tërë ditës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me drejtorin e Agjencisë së Forenzikës i cili ka qenë i paarritshëm për këtë temë.

Në lidhje me këtë çështje edhe avokati Tomë Gashi ka thënë se nuk janë dërguar thonjtë e Astrit Deharit.

Në ekspertizën, e publikuar nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi tregohen edhe përshkrimet që i kanë bërë njësitë e ndryshme dhe organet e rendit pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit të shtrirë në qelinë e tij mbrëmjen e 5 nëntorit të vitit 2016.

Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur pasditen e 5 nëntorit në qelinë e tij.

Ai ishte gjetur së pari nga shokët e qelisë të cilët kishin dalë në shëtitje ndërsa Astrit Dehari kishte qëndruar në qeli pasi kishte pasur dhimbje koke.

Në përshkrimin e vendit ku është zbuluar trupi, sipas raportit të Njësisë së Forenzikës së Policisë së Kosovës të datës 10 nëntor të vitit 2016, në qelinë A3 e cila gjendet në katin e dytë të qendrës së paraburgimit në Prizren, pas vdekjes së Astrit Deharit ishin gjetur, gjurmë gjaku, një kosh mbeturinash, një sfungjer i mbështjellë me një këmishë të zezë e cila ishte përdorur si peshqir , e lagur me një materie e cila mund të ishte jargë apo vjellje.

Tutje në po të njëjtën dhomë, ishte gjetur një lidhëse e kaltër, peshqirë, një shishe plastike me gjurmë gjaku, një shishe, një sapun me gjurmë gjaku, sytha pambuku, një brisk rroje me gjurmë gjaku.

Gjithashtu në raport thuhet se të varur për krevati të fjetjes ishin gjetur edhe objekte nga najloni që formonin një lloj litari.

“Dera e tualetit ishte e hapur. Brenda mbi tokë gjendej një stilograf që paraqiste gjurme të kuqe që evokonin gjak, lidhur sigurisht me një lidhse këpucësh. Në tualet gjendej një lavaman metalik mbi të cilin gjendeshin gjurmë të kuqërremta, që tregonin gjak ishin të dukshme. Përbrenda lavamanit kishte një pjesë metalike që dyshohej se ishte një brisk rroje me gjurmë që tregonin gjak”, thuhet në raport.

Më 17 nëntor 2016, disa ditë pas vdekjes së Astrit Deharit Forenzika kishte gjetur edhe një bllok shënimesh, që i përkiste Astrit Deharit.

Astrit Dehari, ish- aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje është gjetur i vdekur në qelinë e tij pasditen e 5 nëntorit 2016.

Vdekja e Deharit që nga ajo kohë e deri më sot mbeti mister. LVV e prindërit e Astrit Deharit asnjëherë nuk e pranuan deklarimin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje.

Raporti i mjekësisë i cili u përgatitë nga një institut nga Zvicra u publikua sot. I njëjti ka përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit.

Çka thoshte Njësia e Forenzikës për qelinë ku u gjet i vdekur Astrit Dehari

Deklarata e Naser Makollit: Astrit Dehari asnjëherë s’e ka përmendur se mund t’i bëjë diçka vetes

Deklarata e Naser Makollit: Astrit Dehari asnjëherë s’e ka përmendur se mund t’i bëjë diçka vetes