Arkiv: Sylë Hoxha. Foto: Kallxo.com

Sylë Hoxha flet për rastin e Astrit Deharit

Ish-Kryeprokurori i Prizrenit, tani prokuror special, Sylë Hoxha është deklaruar në lidhje me akuzat ndaj tij ‘se është përgjegjës për devijimin e rastit dhe mos hetimit të mirëfilltë të vdekjes së mistershme të Astrit Deharit’.

Në lidhje me këto akuza të cilat vijnë nga familja dhe subjekti politik të cilit i përkiste Astrit Dehari, KALLXO.com ka kontaktuar me prokurorin Hoxha.

Ai nuk ka pranuar të komentoj akuzat ndërsa ka shtuar se në atë kohë ai ka deklaruar ato që i janë servuar nga hetimet e para të vdekjes.

“Unë tash që tri vjet nuk jam atje, ata çka mendojnë unë ato çka i kam pasur shkresa të lëndës i kam thënë atëherë. Unë kam raportuar për ato që i kam pasur. Unë nuk jam as në dijeni për ekspertizën që ka ardhur. Ato çka i kam thënë atëherë i kam pasur si shkresa të lëndës ato i kam thënë. Tash çka mendon familja apo LVV është çështje e tyre unë nuk merrem as me individ. Nuk jam përgjegjës sepse unë kam raportuar në bazë të hetimeve që kanë qenë deri në atë kohë. Unë nuk kam qenë prokuror i rastit, kam qenë Kryeprokuror në Prizren edhe kam raportuar para mediave rrjedhjen dhe rezultatin e hetimeve të asaj kohe”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Nga akuzuat nuk u la anash as edhe prokurori i rastit Metush Biraj.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga prokurori Biraj, por ai nuk i është përgjigjur telefonatave.

Gjatë ditës se djeshme familja Dehari pranoi raportin e ekspertizës së Mjekësisë Ligjore të institutit zviceran në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës në Zvicër në ekspertizën mbi vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ka dhënë komentet se pse vdekja e Deharit ka pak mundësi të jetë vetëvrasje.

“Në rastin e z.Dehari, nëse e pranojmë hipotezën e vetëvrasjes, të dy metodat do të ishin përdorur në mënyrë sekuenciale, e para ka të bëjë me përdorimin e një objekti të mprehtë në pjesën e qafës dhe të kyçit të majtë dhe e dyta ka të bëjë me ngufatjen e llojit smithering me një shishe të plastikës. Megjithatë kjo hipotezë duket pak e mundshme për arsyet e më poshtme”, thuhet në raportin e Institutit zviceran.

Hipotezën e vetëvrasjes në rastin e Deharit, Instituti e ka vlerësuar si pak të mundshme për tri arsye të ndryshme.

“Së pari, lëndimet cervikale dhe të kyçit ishin shumë sipërfaqësore, që nuk tregonin përcaktime të vërteta të aktit vetëvrasës, e dyta, teoria e vetëvrasjes komplekse të paplanifikuara që ka dëshiruar z.Dehari, duke parë këtë tentativë të pasuksesshme, e zgjedh metodën e dytë të vetëvrasjes më vdekjeprurëse, çfarë nuk ishte rasti, si e tretë, kjo lloj vetëvrasje kryesisht haset tek pacientët psikiatrikë pra që z.Dehari nuk paraqiste asnjë paraardhje psikiatrike dhe nuk paraqiste shenja të depresionit”, vazhdon raporti i Institutit zviceran mbi vdekjen e Deharit.

Pas këtij raporti, familja e Astrit Deharit dhe Lëvizja Vetëvendosje po drejton gishtin nga disa prej personave të cilët ata mendojnë se janë përgjegjës për mos hetim të detajuar të rastit e edhe për deklarimet e tyre se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje.

Provat shkencore të zviceranëve që kontestojnë vetëvrasjen e Astrit Deharit

.