Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Rizvanolli për rindërtimin e TC Kosovës A: Formulimi i bordit nuk ishte i duhuri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se Bordi i KEK-ut nuk ka nisur procedurat për rindërtimin e Kosovës A.

Ajo e ka bërë fajtor bordin e përkohshëm të KEK-ut që e ka emëruar Qeveria Kurti për një komunikatë e pasqyron vendimin që është marrë nga bordi.

“Formulimi i bordit të KEK-ut në atë komunikatë, nuk ka qenë më i duhuri për atë se çka ata planifikojnë të bëjnë, kjo pas diskutimeve që i kemi pasur me ta”, tha ajo.

Më 18 gusht të këtij viti, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kishte lëshuar një komunikatë në të cilën kishte njoftuar për disa vendime që ishin marrë për termocentralin ‘Kosova A’.

Në mesin e këtyre vendimeve, ishte edhe përgatitja e dokumentit teknik lidhur me Termocentralin “Kosova A” dhe përgatitjen e letrës për shprehjen e interesit për rindërtimin e saj.

“Vendimet e BPD-së janë si në vijim: Për përgatitjen e draft dokumentit teknik lidhur me Termocentralin Kosova A, respektivisht përgatitjen e draft letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e saj, që do ti prezantohen aksionarit për vlerësim dhe vendimmarrje. Ky vendim është marrë duke e pasur parasysh vjetërsinë e Termocentralit A që ndërlidhet ngushtë me sigurinë e punëtorëve, sigurimin e qëndrueshëm me energji eletrike dhe investimet vjetore të mëdha për mirëmbajtje”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Dokumenti që Bordi i KEK-ut kanë thënë se do të përgatitet, pra “letra për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e Kosovës A” është dokumenti që publikohet për të kërkuar kompani që dëshirojnë të investojnë në Kosovën A. Ky dokument është procedura e parë kur hapet një tenderi të madh investues, sic është rindërtimin e Kosovës A.

Ministrja Rizvanolli ka dhënë interpretimin e saj për komunikatën e lëshuar nga bordi i përkohëshëm i KEK-ut, më datë 18 gusht 2021, vetëm një ditë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti dhe ministres, Artane Rizvanolli në KEK.

“Bordi i KEK-ut e ka parë të arsyeshme diçka të cilën edhe ne e shohim  të arsyeshme, që të analizoj gjendjen teknike në të cilën gjendet Kosova A, për të parë në radhë të parë, nëse mënyra sesi operojnë është e sigurt për punëtorët që punojnë aty”, tha ajo.

“Siguria e punëtorëve që punojnë aty, është brenga e parë, edhe e jona si qeveri edhe e bordit të KEK. Bordi e ka pasur parasysh që në ‘Kosovën A’ , çdo vit investohen miliona, në remonte, në investime të pjesshme dhe kanë dashur të shohin cila është gjendja teknike, sa është e sigurt për punëtorët dhe a do të ishte më mirë që të bëhej një investim pak më afatgjatë”, theksoi ajo.

Sipas saj, hartimi i draft-shprehjes së letrës së interesit, nuk ka qenë primare për bordin, por ka qenë analiza teknike.

“Sa i përket draft-shprehjes së letrës së interesit për rindërtim, kjo ka qenë një pjesë për të cilën edhe sipas vet bordit, në diskutime me ta, nuk ka qenë primare dhe në rast se do të vinte do të duhej të vinte pas kësaj analize e cila do të bëhej”, tha ajo.

Ministrja Rizvanolli theksoi se nuk ka të bëjë me ndërmarrje të hapave për rifillim të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova A’.

“Edhe pse është interpretuar se bordi i KEK-ut nisë procedurat për rindërtimin e ‘Kosovës A’ , në fakt kjo nuk është çfarë ka ndodhur, ata kanë thënë se do ta bëjnë një analizë teknike dhe do ta draftojnë një draft letër për shprehje të interesit, kjo është sikur unë të them që po e draftoj një email të cilën ndoshta e dërgoj ndoshta nuk e dërgoj”, theksoi ajo.

Divizioni i Gjenerimit të Energjisë në Kosovë përbëhet nga termocentralet “Kosova A”, “Kosova B” dhe Seperimet Kimike, që janë të vendosura në Obiliq.

Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese të njohura si A1, A2, A3, A4 dhe A5. Sipas planit aktual në prodhim përdoren dy blloqe, kurse njëri prej tyre është rezervë “e nxehtë “ për shkak te gatishmërisë se tyre të ulët, që është pasojë e vjetërsisë së tyre.

Blloqet A1 dhe A2 janë jashtë pune, pa status të definuar, dhe sipas planeve aktuale ato do të mbesin kështu deri në fund, kur pritet të bëhet dekomisionimi i tyre së bashku me njësitë tjera.

KEK-u nis procedurat për rindërtimin e termocentralit “Kosova A”