Ministrja nënshkruan udhëzim administrativ që ul për rreth 40% tarifat e përmbaruesve privatë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka nënshkruar udhëzimin administrativ me anë të të cilit ulen rreth 40% tarifat e përmbaruesve privatë.

Haxhiu ka thënë se këto tarifa kanë qenë më të lartat krahasuar me vendet e rajonit.

Tutje ajo ka thënë se ulja e këtyre tarifave është në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Sipas Haxhiut, këta qytetarë kanë shprehur shqetësimet e tyre të vazhdueshme lidhur me këto tarifa.

“Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, do t’i kemi tarifat e reja ku qytetarët nuk do të ngarkohen me tarifa të larta por të përballueshme”, ka thënë Haxhiu.

Madje, ajo ka shtuar edhe se ky udhëzim do të mundësojë lirimin nga pagesat fillestare për kreditorët me gjendje të vështirë ekonomike.

“Po ashtu, me hyrjen ne fuqi të Ligjit për procedurën përmbarimore, nuk do të mund të ekzekutohen skemat sociale, pensionet deri në vlerën e pagës minimale dhe as shtesat që përfitohen nga pakoja e Qeverisë”, ka përfunduar Haxhiu.