Arbërie Nagavci

Ministrja Nagavci: Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin është i papranueshëm

Ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj paralajmërimeve se do të ketë grevë në shkolla më 1 shtator.

Nagavci këtë gjë e ka quajtur të papranueshme.

“Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë”, ka shkruar ajo në Facebook, teksa ka thënë se duhet punë dhe përkushtim nga të gjithë që të ketë ndryshime pozitive për rezultatet në arsim.

“Ata që ja duan të mirën vendit, të ardhme më të mirë për fëmijët e suksese të përbashkëta duhet të ftojnë për angazhim dhe jo për greva, bllokada e pengesa”, ka shtuar Nagavci.

Tutje, e para e Ministirsë së Arsimit ka thënë se ky institucion po punon në përmirësimin e kushteve në arsim.

“Si Qeveri e në Ministri të Arsimit, po punojmë me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, në legjislacion, përmirësim të infrastrukturës shkollore, mbështetje për mësimdhënësit e nxënësit dhe nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Edhe legjislacioni që i rregullon pagat dhe të tjera po bëhet dhe do të bëhet si më mirë të jetë e mundshme”, ka shkruar ministrja teksa ka shtuar tutje se është koha për punë dhe se askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë fëmijëve të drejtën për shkollim.

Reagimi i ministres ka ardhur pas një deklarate të kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i cili në KTV ka thënë se nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e punëtorëve atëherë nga 1 shtatori mund të ketë greva.