Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Haxhiu reagon pas padisë nga deputetja Deliu – Kodra

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me padinë që i është bërë nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra.

Haxhiu deklaroi se “është paditur për të vërtetën”.

Ajo tha se do të bëjnë publik raportin financiar, i cili, sipas saj dëshmon se deputetja ishte paguar në mënyrë të paligjshme.

“Për çfarë më paska paditur deputetja Blerta Deliu Kodra? Për të vërtetën? Shumë mirë. Ne do ta bëjmë publik raportin financiar i cili dëshmon që e njëjta ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve te Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme”- ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Sipas saj, veprimi i duhur do të ishte kthimi i mjeteve nga Deliu – Kodra.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, ka dorëzuar padi për shpifje ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Tendenca që me shpifje dhe fyerje ndaj opozitës me e zhvendosë vëmendjen nga skandalet korruptive të kësaj qeverie, nuk kalon. As nuk frikësohemi e as nuk zmbrapsemi nga angazhimi ynë për të denoncuar krimin dhe korrupsionin e këtij pushteti”- ka shkruar deputetja Deliu – Kodra në Facebook.

“Shihemi në gjykatë, Albulenë”- ka shtuar ajo.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar se deputetja Deliu – Kodra ka marrë para pa qenë prezente në mbledhjet e Komisionit për Kompensim të Viktimave të Krimit.

Deputetja Blerta Deliu – Kodra padit ministren Haxhiu për shpifje