
Ministria në Maqedoninë e Veriut i referohet Kosovës si “Kosovë e Metohi”, MPJD shpreh indinjatë
Një komunikatë e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut, ka zgjuar indinjatë te autoritetet e Kosovës, por pavarësisht reagimeve, ajo nuk është hequr nga faqja e ministrisë së shtetit fqinj. Në atë komunikatë, Kosova është shënuar si “Kosovë e Metohi”, një term që e përdorin zyrtarët në Serbi, të cilët edhe e kontestojnë pavarësinë e shtetit më të ri në Europë.
Në këtë publikim flitet për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviç në kampin e sportit “Serbia të thërret ty”, i mbajtur mes datave 1-11.08.2024 në Serbi.
Në pjesën e publikimit ku përmenden fëmijët që kanë marrë pjesë në këtë kamp, Kosova është shënuar si “Kosova dhe Metohija”.
Ndonëse njoftimi nuk ka datë të publikimit, ministri Stoilkoviç, më 08.08.2024 njoftoi për pjesëmarrjen e tij në këtë kamp.
Për këtë çështje është diskutuar edhe në disa postime në TikTok (shih këtu, këtu dhe këtu), prandaj për të kuptuar pse Kosovës iu referua me “Kosova dhe Metohija” nga një Ministri e Maqedonisë së Veriut, KALLXO.com ka drejtuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të këtij shteti, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.
Ngjashëm si në MPJ-në e Maqedonisë së Veriut, KALLXO.com ka drejtuar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, për të marr qëndrimin e shtetit rreth këtij rasti, njëherësh për të kuptuar nëse është komunikuar me Qeverinë maqedonase për këtë çështje.
Në MPJD thonë se e kanë përcjell verbalisht indinjatën dhe përmes Ambasadës në Shkup u kanë dërguar notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut.
“MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Kallxo.com përkitazi me rastin.
Për postimin nga zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërkomunitare, Ivan Stoilkovic, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti ka thënë është votuar për interpelancë ndaj tij.
“Ne nuk e mohojmë se Stolkovic-i është përfaqësues i serbëve dhe nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar e as të mendojë si ne. Takimi i parë i Kryeministrit Mickovski ka qenë me Kryeministrin Kurti. Takimi i parë i përbashkët i kësaj Qeverie ka qenë me Qeverinë e Republikës së Kosovës në Prishitinë, kështu që nuk mund të vemë paralele në mes të Stoilkoviçit dhe politikave të Qeverisë për Open Balkanin apo kundër Open Balkanit” – ka deklaruar Mexhiti.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 18.11.2024, në konferencë për media pas mbledhjes së përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, deklaroi se qëndrimi i vendit që ai e dhëheq për Kosovën është i qartë.
“Nuk ka nevojë ta përsërisim tërë kohën sepse do ta humbim esencën nëse e bëjmë këtë. Kjo që ndodh sot dhe paraprakisht në Shkup, në vet fillimin e pavarësisë së Kosovës, që e bëri Qeveria e Maqedonisë me pranimin e pavarësisë së saj është e qartë. Parametër i qartë se cili është qëndrimi ynë” – kishte deklaruar Mickoski më 18.11.2024.
Republika e Maqedonisë së Veriut (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, që quhej në atë kohë), ka njohur pavarësinë e Kosovës më 09.10.2008, bazuar në Listën e Njohjeve të publikuar nga MPJD.