Ministria "hap kuletën": 900,000 euro për ndërtimin e fushave të tenisit në Komuna të ndryshme

900,000 euro është buxheti i parashikuar për të kontraktuar ndërtimin e fushave të tenisit në Komuna të ndryshme në Kosovë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Nëpërmjet njoftimit paraprak të publikuar nga MKRS, në platformën elektronike për prokurimin publik në Kosovë: E-Prokurimi mësohet se procedurat e prokurimit nëpërmjet të cilave pritet të nënshkruhet Kontrata parashihet të nisin më 04.04.2025.

Mëqenëse është njoftim paraprak, ende nuk dihen se cilat do të jenë Komunat përfituese të këtij investimi të Ministrisë.

Më 29.04.2024, ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku, në postimin e tij në rrjetin social Facebook pati thënë se tenisi më nuk do të jetë sport sezonal. “Nisim me mbulimin e fushave të tenisit në Prizren, për të vazhduar edhe me qytetet e tjera”.

Më tej, Çeku shtoi se në bashkëpunim me Federatën e Tenisit të Kosovës po investojnë për konsolidimin e kushteve infrastrukturore në tenis – në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.