Foto: MPJD

Ministria e Punëve të Jashtme largon nga puna 11 punonjës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se sot janë larguar nga puna 11 punonjës të kësaj ministrie.

Sipas njoftimit ky “vendim është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën”.

Ministria nuk ka treguar se kush janë të larguarit, mirëpo ka thënë se të njëjtit janë punësuar në këtë institucion pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm.

“Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm”, thuhet në njoftim.