Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë reagon pas raportimeve të OSBE-së për keqpërdorime në zgjedhjet në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka reaguar pas raportimeve të OSBE-së për keqpërdorime, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave në zgjedhjet që u mbajtën të dielën në Serbi.

Sipas MPJ-së, kjo është e papranueshme për një vend me status të kandidatit për Bashkimin Europian.

“Serbia ka votuar, por OSBE raporton keqpërdorime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votës. Kjo është e papranueshme për një vend me status të kandidatit për BE”- shkruan Ministria federale gjermane e Punëve të Gjermanisë në rrjetin social “X”.

 

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë deklaroi të hënën se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i Presidentit, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë minuar procesin zgjedhor në tërësi.”

Sipas OSBE-së, këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për garë.”

Po ashtu, një numër i madh qytetarësh kanë protestuar të hënën në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në kryeqytetin serb më 17 dhjetor.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” e thirri këtë protestë, pasi pretendon se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Beograd “është rezultat i vjedhjes së zgjedhjeve”.

Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Partia SNS e ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.