Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Mjedisit planifikon të digjitalizojë pagesën për shërbimet e ujit

Autoritet i Rajonit të Pellgjeve Lumore (ARPL) si institucion përgjegjës për menaxhimin e resurseve ujore në Kosovë, e që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësonor dhe Infrastrukturës, pritet të bëhet me softwer për pagesa të shërbimeve të ujit.

Me kontratë u shpërblye kompania “Tech Vision”, e cila ishte një ndër dy kompanitë që u vlerësua e përgjegjshme. Oferta e kompanisë fituese ishte rreth 5 mijë euro më e lirë se ajo e kompanisë tjetër ofertuese që ishte vlerësues si e përgjegjshme.

Për blerjen e këtij softweri, Ministria e Mjedisit ka nënshkruar kontratë në vlerë 29 mijë euro apo 21 mijë euro më pak se vlera e parashikuar.

Për këtë aktivitet të prokurimit, u përdor procedura e hapur, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Tenderi për blerjen e softwerit ishte shpallur me 22 qershor nga ana e ministrisë.

Në përshkrimin e këtij tenderi thuhet se Autoriteti i Rajonit të Pellgjeve Lumore po hyn në proces të modernizimit të shërbimeve të brendshme duke pasur objektiva përmirësimin e performancës operative përfshirë këtu realizimin e kërkesave të brendshme dhe faturimit, rritjen e efikasitetit të administratës me theks të veçantë në sistemin e pagesave.

“Për tu arritur këto objektiva duke rritur produktivitetin dhe efikasitetin e ARPL-së duhet të rritet e aftësia e menaxhimit përmes automatizimit të proceseve dhe kjo do të duhej të arrihej përmes implementimit të një sistemi të pagesave ujore (SPU) duke përfshirë fillimisht në këtë fazë modulin e kontabilitetit financiar, raportimeve të operatoreve ekonomikë (OE), vendimeve financiare masive dhe kërkesave jofunksionale të sistemit” – thuhet në përshkrimin e tenderit.

Ndryshe, sipas Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, hidrografia e rrjedhave ujore të Kosovës ndahet në 4 pellgje lumore: Drini i Bardhë, Ibri, Morava e Binçës, dhe Lepenci. Rrjedhat lumore të Kosovës derdhen në tre ujëmbledhës detarë: Deti i Zi, Deti Adriatik dhe Deti Egje. Në dimension të përgjithshëm ujërat ndahen në dy kategori kryesore: Ujërat Sipërfaqësor dhe Ujërat Nëntokësor.