Foto: Mimoza Kusari Lila/Facebook

Ministria e Infrastrukturës deklarohet rreth shembjes së rrugës Klinë-Gjakovë

Një pjesë e rrugës te Kodra e Becit, përgjatë segmentit Klinë-Gjakovë, është shembur sot.

Drejtori i Menaxhimit të Rrugëve që vepron në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, Mal Lokaj, deklaroi se ky segment është në terren të rrëshqitshëm dhe shirat e ditëve të fundit kanë ndikuar që të shembet rruga.

Lokaj në një prononcim për KALLXO.com paralajmëroi se nesër do ta vizitojnë nga afër këtë rrugë.

“Ato rrugë janë të shpallura nga Ministria për ndërtim dhe rindërtim të tyre. Ka shembje sepse është një terren shumë i rrëshqitshëm, edhe pas reshjeve të shiut që kanë mbizotëruar kohëve të fundit edhe ngacmimi i tyre përderisa po punohej për zgjerimin, praktikisht gërmimi që është bërë i ka kriju mundësi shembjes. Por, sipas menaxherit është vendos një by-pass që mundëson qarkullimin për mos me pengu komunikacionin, pavarësisht që jo me komoditetin e duhur. Kompanitë nuk kanë punuar kohëve të fundit, por që besoj që ato do të sanohen shumë shpejt dhe nesër e kemi në plan me shku me vizitu për së afërmi”, deklaroi Lokaj.

Kjo rrugë ka qenë projekt i Qeverisë Haradinaj, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës.

Kujtojmë se ky projekt ka filluar në mars të vitit 2019, ku është bërë inaugurimi i segmentit të parë me gjatësi rreth 5 kilometra dhe që ka kosto mbi 4 milionë euro ndërsa, e gjithë vlera e projektit është rreth 57 milionë euro dhe ka 31 kilometra.

KALLXO.com raportoi sot se lidhur me këtë rast ka reaguar ish-kryetarja e Gjakovës, tani deputete në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka thënë që kjo shembje e rrugës mund t’u kushtojë me jetë personave që e frekuentojnë këtë pjesë.

“Rreziku i shkaktuar nga shembja e rrugës së re mund t’i kushtojë me jetë dikujt. Punimet e “reja” të nisura në qeverinë e kaluar janë dëshmuar të standardit të paraqitur në foto”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

“I njëjti standard me zell po synohet të bartet nga partia që udhëhoqi Ministrinë e Infrastrukturës në qeverinë e kaluar edhe në qeverinë e “re”. Pika e dytë në parimet qeverisëse të kësaj partie është ajo me “investimet” e synuara në asfalt”, ka thënë ajo.