Foto: Mimoza Kusari Lila/Facebook

Shembet rruga Klinë - Gjakovë

Sot është shembur një pjesë e rrugës te Kodra e Becit, në segmentin e rrugës Klinë-Gjakovë.

Kjo rrugë ka qenë projekt i qeverisë Haradinaj, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës.

Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe ish-kryetarja e Gjakovës, tani deputete në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka thënë që kjo shembje e rrugës mund të kushtojë me jetë personave që e frekuentojnë këtë pjesë.

“Rreziku i shkaktuar nga shembja e rrugës së re, mund t’i kushtojë me jetë dikujt. Punimet e “reja” të nisura në qeverinë e kaluar janë dëshmuar të standardit të paraqitur në foto”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

“I njëjti standard me zell po synohet të bartet nga partia që udhëhoqi Ministrinë e Infrastrukturës në qeverinë e kaluar edhe në qeverinë e “re”. Pika e dytë në parimet qeverisëse të kësaj partie është ajo me “investimet” e synuara në asfalt”, ka thënë ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e shërbimeve në komunën e Gjakovës, Shkumbin Kastrati i cili ka thënë se ky projekt nuk është në përgjegjësi të qeverisjes lokale.

“Për shembjen në segmentin e rrugës Klinë-Gjakovë ose tek Kodra e Becit është përgjegjëse Ministria e Infrastrukturës, është projekt i ministrisë, ajo është rruga e re që është planifikuar të bëhet me 4 korsi, ne si komunë nuk mund të ndërhyjmë këtu”, tha Shkumbin Kastrati.