Foto: Ministria e Drejtësisë / Facebook

Ministria e Drejtësisë inicion hartimin e Projektligjit kundër femicidit

Ministria e Drejtësisë përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se ka iniciuar hartimin e Projektligjit kundër femicidit.

Sipas kësaj Ministrie, Kosova është shteti i parë në rajon që po bën një gjë të tillë.

Në këtë njoftim thuhet se kjo inciativë ka për qëllim fuqizimin e legjislacionit me dispozita të qarta dhe të ashpra kundër femicidit.

Takimi i parë i grupit punues për këtë Projektligj është kryesuar nga zëvendësministri Blerim Sallahu, i cili sipas njoftimit ka thënë se duhet të ketë ashpërsim të dispozitave ligjore dhe mekanizma për identifikim dhe ndjekje të rasteve të dhunës ndaj grave e mbrotje për to.

“Zëvendësministri i Drejtësisë, sot ka kryesuar takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e këtij projektligjit me ç ‘rast tha se duhet të ketë ashpërsim të dispozitave ligjore, masa të rrepta për parandalimin e femicidit duke krijuar mekanizma për identifikim dhe ndjekje të rasteve të dhunës ndaj grave si dhe të parashikohet mbrojtje dhe mbështetje për gratë që janë në rrezik“ – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë të datës 04.06.2024.

Sipas zv.ministrit Sallahu e gjithë kjo kërkon një sistem gjyqësor të paanshëm.

“E gjithë kjo, sipas zëvendësministrit Sallahu kërkon një sistem gjyqësor të paanshëm dhe të vendosur, që të sigurojë drejtësi për viktimat dhe të mbajë përgjegjës ata që kryejnë këto krime të tmerrshme sepse sipas tij nuk mjaftojnë vetëm ligje të mira në letër por edhe zbatim i tyre në praktikë.” – thuhet tutje në njoftim.

Definicioni i femicidit

Aktualisht, Kosova nuk ka një përkufizim ligjor mbi femicidin.

Sipas raportit të UNDP-së, përkufizim të femicidit ka dhënë Instituti Europian për Barazi Gjinore (EIGE), të cilin përkufizim e ka ndarë në dy lloje; sipas përkufizimit të përgjithshëm (i mbështetur në Deklaratën e Vjenës) dhe përkufizimit statistikor.

Sipas EIGES, termi femicid shënon “vrasjet e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre, të kryera dhe toleruara nga aktorë privatë dhe publikë. Përfshin vrasjet e grave si pasojë e dhunës nga partneri intim, torturës dhe vrasjet mizogjene të grave, vrasjet e grave dhe vajzave në “emër të nderit” dhe vrasjet si pasojë e praktikave tjera të dëmshme, vrasjet e targetuara të grave dhe vajzave gjatë konflikteve të armatosura dhe rastet femicide që kanë lidhje me bandat, krimin e organizuar, shitësit e drogës dhe trafikimin me gra dhe vajza.”

Ndërsa sipas përkufizimit statistikor përfshin “vrasjen e një gruaje nga një partner intim dhe vdekja e një gruaje si rezultat i një praktike që është e dëmshme për gratë. Partneri intim kuptohet si një bashkëshort ose partner i dikurshëm ose aktual, pavarësisht nëse autori ka apo ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën“.

Deklarata e Vjenës (e OKB-së) e përkufizon femicidin në këtë mënyrë:

“Vrasja e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre, e cila mund të marrë formën, ndër të tjera, të: (1) vrasjes së grave si rezultat i dhunës nga partneri intim; (2) torturimi dhe vrasja e grave nga mizogjeni (3) vrasja e grave dhe vajzave në emër të “nderit”; (5) vrasja e synuar e grave dhe vajzave në kontekstin e konfliktit të armatosur; (5) vrasjet e grave për shkak të prikës; (6) vrasja e grave dhe vajzave për shkak të orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor; (7) vrasja e grave dhe vajzave aborigjene dhe indigjene për shkak të gjinisë së tyre; (8) femijëvrasja e foshnjave femërore dhe fetusi i përzgjedhjes së seksit me bazë gjinore; (9) vdekjet e lidhura me gjymtimin gjenital; (10) akuza për magji; dhe (11) femicide të tjera të lidhura me bandat, krimin e organizuar, tregtarët e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe përhapjen e armëve të vogla”.