Ministri Zemaj viziton pikën kufitare në Vërmicë, bën thirrje të respektohen masat

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, bashkë me drejtorin e IKShPK-së, Naser Ramadani dhe drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj kanë vizituar pikën kufitare në Vërmicë.

Zemaj nga këtu bëri thirrje që të respektohen masat dhe rekomandimet e dhëna nga IKShPK-ja, ndërsa për të përçuar mesazh, në mënyrë simbolike ka shpërndarë maska për qytetarët që hynin në Kosovë.

“Sot jam bashkarisht me të gjitha kapacitet që ka Kosova që të shohim në mënyrë praktike se si po qëndron qasja e lëvizjes së lirë dhe e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve që hyjnë në Kosovë. I bëj thirrje që ata që hyjnë në Kosovë të respektojnë masat dhe të përçojnë këtë mesazh”, ka thënë Zemaj para gazetarëve.

Ndërsa drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramdani, tha se nëse nuk respektohen në vazhdimësi masat, do të ketë masa më të rrepta.

“Do ta mbikëqyrim në vazhdimësi lehtësimin e masave dhe kalimin e kufirit, por kjo nuk nënkupton që do ta rrezikojmë shëndetin e qytetarëve. Kalimi dhe lehtësimi nënkupton lëvizjen e lirë dhe duhet të respektohen masat, si mbajtja e maskave dhe distancës. Nëse nuk shihet që nuk po respektohen këto masa, do të merren masa të tjera më të rrepta”, ka thënë Ramadani.