Fadil Zuka

Ministri Zemaj shpreh ngushëllime për vdekjen e mjekut nga Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet qytetarët të Vitisë, por edhe komunitetit mjekësor në Kosovë për vdekjen e mjekut nga Vitia, Fadil Zuka.

Doktori Fadil Zuka nga Vitia ka vdekur pas infeksionit nga COVID-19.

Ai ka shkruar se doktor Zuka i ka shërbyer profesionit deri në momentin e fundit të jetës së tij dhe do të mbetet shembull i profesionistit të përkushtuar.

Postimi i tij i plotë:

Me rastin e ndarjes nga jeta të mjekut familjar dr. Fadil Zuka, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, qytetarëve të Vitisë dhe komunitetit mjekësor në Kosovë.

Duke i shërbyer profesionit të mjekut dhe popullit të tij në luftën kundër Covid-19 deri në momentet e fundit të jetës së tij, dr. Zuka do të mbetet një shembull i profesionistit të përkushtuar, të dashur e vlerësuar nga kolegët dhe pacientët e tij të cilëve u shërbeu me dinjitet e profesionalizëm.

Respekt për jetën dhe veprën e tij!