Ministri Veliu pas vizitës në IPK: Qëllimi është që të kemi polici të besueshme e profesionale

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu gjatë ditës së sotme ka thënë se qëllimi i MPB-së dhe Inspektoratit Policor të Kosovës është që Kosova të ketë një polici të profesionalizuar dhe të besueshme për qytetarët dhe partnerët ndërkombëtar.

Këto deklarata Veliu i bëri pas vizitës që kishte në Inspektoratin Policor të Kosovës, ku u prit nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të IPK-së, Kushtrim Hoda.

“Unë premtova mbështetje UD të Kryeshefit të IPK-së sepse qëllimi ynë i përbashkët është që të kemi polici profesionale dhe të besueshme. Unë do ta mbështes IPK edhe me çështje të tjera që janë çështje profesionale për trajnime e të tjera. Kontributi i ministrisë do të jetë për ofrimin e IPK me vendet e tjera për sa i takon marrëveshjeve dhe raporteve të cilat IPK duhet të i ketë, me inspektoratet dhe policitë e vendeve të tjera në mënyrë që luftimi i çfarëdo forme të krimit të jetë më efikas”, tha ministri Veliu.

Në anën tjetër, U.D Kryeshefi i IPK, Kushtrim Hoda siguroi edhe njëherë qytetarët se zbatimi i vendimeve nga ana e Policisë së Kosovës, në lidhje me pandeminë është i drejtë.

“Treguam gatishmëri që jemi të gatshëm të ndërmarrim veprime edhe në funksion të pandemisë, që të sigurohen qytetarët që masat e ndërmarra nga qeveria dhe policia po zbatohen në mënyrë të drejtë”, tha Hoda.