Ministri Liburn Aliu tregon se çka do të bëjë me hidrocentralet

I ftuar në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ministri i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka folur në lidhje me çështjen e hidrocentraleve dhe degradimin e mjedisit nga to në Kosovë.

Aliu deklaroi se kjo çështje është e ndjeshme dhe sipas tij, në kohën kur ka qenë deputet, mungesa e qasjes në dokumente publike ka bërë që të ketë dyshime.

“Fakti që ne nuk kishim qasje në dokumentin zyrtar, nga ana tjetër kishim takime me banorët të cilët ankoheshin, kanë ardhur edhe në Komisionin parlamentar dhe ne kemi shku në Biti të Poshtme, në Shtërpcë, në Brezovicë i kemi taku dhe kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi parë situata që mua më kanë bo me dyshu që janë të rregullta”, tha ministri Aliu.

Aliu ka thënë se qytetarët e Bitisë së Poshtme, Shtërpcës dhe Brezovicës kanë qenë shumë aktivë, përkundër që kanë qenë serbë dhe shqiptarë.

“Kemi të bëjmë me lumenj të vegjël, që në muajin prill është kohë kur shkrihet bora dhe lumejntë kanë vëllim të madh të ujit dhe ti shkon në atë lumin që së shpejti pritet të shkojë në gyp për me e furnizu një hidrocentral, ti atë e kalon me një hap”, tha Aliu.

Tutje, Aliu tha se duhet të ngritet një komision në Ministri, apo ndërministror për të parë se a janë respektuar procedurar në të kaluarën, apo jo.

“Do të kem një takim edhe me operatorët, do të flas edhe me ta, takimet që i kam pasur më herët edhe me zyrtarët e KELKOS-it, vërejtjet e mia i kam dhënë. Do të shikohen shkeljet e mundshme nga të dyja palët. Duhet të bëjmë publike çkado që ka ndodhë dhe t’i procedojmë tutje”, deklaroi Aliu.

Në pyetjen se çka do të bëjë në të ardhmen për investitorët që kërkojnë ndërtime të hidrocentraleve, ministri Aliu tha se nuk është kundër hidrocentraleve, por që pamje të tilla të lumenjve, siguroi që më nuk do të ketë.

“Atë që unë mund të them dhe mund të ju siguroj është se diçka të tillë më nuk do të ketë. Do të ketë procedura të rregullta. Do të bëjmë kritere për elaborate mjedisore të mirëfillta. Unë nuk jam kundër hidrocentraleve, hidrocentrale mund të ketë, mund të ketë edhe penda, do të kemi menaxhim të ujërave dhe të vërshimeve. Dhe krejt këto do të thotë ndërhyrje nëpër ndërtim të digave dhe krejt këto janë potenciale për hidrocentrale. Por unë jam kundër degradimit të natyrës”, tha Aliu.