Ministri Latifi nuk vjen për raportim në komision, kërkon datë tjetër

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, nuk ka shkuar që të raportojë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të performances “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”.

Sipas kërkesës së ministrit, takimi i sotëm nuk ka qenë i përshtatshëm për shkak të kohës së shkurtër për t’u përgatitur mjaftueshëm për raportim para deputetëve.

Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami, ka njoftuar deputetët për kërkesën e ministrit Rifat Latifi ndërsa ka kërkuar nga anëtarët e komisionit të japin qëndrimet e tyre në lidhje me kërkesën për organizimin e takimit më 29 mars.

“Ministri i Shëndetësisë ka kërkuar që të shtyhet raportimi për datën 29 mars për shkak se nuk ka qenë i përgatitur për këto dy raporte sepse e ka marrë ditën vonë. Kërkesa ka qenë me shkrim. Raportimi për këto dy raporte është i rëndësishëm”, ka thënë Bajrami.

Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë qe komisionet nuk janë duke pasur praktikë të mirë të raportimit nëpër komisione nga ministrat.

Rrahmani tutje ka thënë se është obligim ligjor ardhja për raportim para deputetëve.

“Nuk jam i pajtimit që me e shty raportimin për 29 mars por të shtyhet javën e ardhshme. Të ftohen në raportim edhe Shërbimi Spitalor dhe Ministria e Shëndetësisë. E kanë obligim ligjor të vijnë dhe të raportojnë në komision e nuk duhet ta zgjedhin datën. Është e vërtetë që kemi përvoja jo të mira”, është shprehur Rrahmani.

Edhe deputetët Hajdar Beqa dhe Rashit Qalaj janë pajtuar që raportimi të shtyhet deri në javën e ardhshme dhe jo më vonë siç ka kërkuar ministri i Shëndetësisë.

Me kërkesën e deputetëve për raportim të ministrit për javën e ardhshme nuk janë pajtuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe kanë insistuar që ministri të raportojë vetëm me datën 29 mars dhe jo më herët.

Komisioni ka miratuar kërkesën e ministrisë që raportimi për këto raporte të bëhet me 29 mars.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me raportin e performancës së realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”.

Auditori: Pacientët me COVID i blejtën vetë barnat, institucionet nuk arritën të furnizohen me to