Auditori: Pacientët me COVID i blejtën vetë barnat, institucionet nuk arritën të furnizohen me to

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatur se institucionet shëndetësore nuk kanë arritur me kohë të sigurojnë të gjitha barërat dhe materialet e nevojshme shëndetësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, prandaj, sipas tyre, në shumë raste pacientët janë detyruar që vetë t’i blejnë disa nga barërat për trajtim mjekësor.

Sipas raportit të ZKA-së, auditori ka vërejtur se bari më i shpeshtë që është blerë nga pacientët COVID-19 të Klinikës së Infektivës është “Remdesivir” dhe “Favipiravir”.

“Një sasi prej 12,200 barëra “Favipiravir” 200 mg ishte pranuar gjatë vitit 2020 në formë të donacioneve, prej të cilave në fund të vitit 2020 kishin mbetur 1,100 copë, të cilat bashkë me një donacion tjetër prej 1,834 copë, të pranuara në janar të vitit 2021 kanë qenë të disponueshme deri në fund të muajit mars”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, për “Remdesivir” institucionet nuk kanë mundur të furnizohen asnjëherë shkaku i vështirësive procedurale të prokurimit.

Po ashtu, në bazë të gjetjes së Auditorit, institucionet shëndetësore nuk kanë arritur të sigurojnë me kohë dhe një numër të mjaftueshëm të personelit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Mungesa e analizave të vazhdueshme adekuate të shkruara për identifikimin me kohë të nevojave për personel shëndetësor dhe koordinimit të duhur dhe të vazhdueshëm në mes të institucioneve shëndetësore krahas nevojave për ballafaqim me COVID-19, ka ndikuar në vështirësi për aktivizimin me kohë të numrit dhe profilit të duhur të personelit shëndetësor”, ka vlerësuar Auditori.

Raporti thekson se rekrutimi i personelit të përkohshëm shëndetësor është bërë pa konsultime të mjaftueshme në mes të institucioneve shëndetësore, ndërsa shtojnë se trajnimet specifike paraprake për personelin shëndetësor të angazhuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19 kanë qenë jo të mjaftueshme.

Vështirësitë procedurale dhe buxhetore për rekrutim të personelit të nevojshëm shëndetësor kishin shkaktuar telashe shtesë duke pasur parasysh se personeli i rregullt ishte reduktuar pjesërisht për arsye se shumë nga ta ishin infektuar me virusin COVID-19, ndërsa të tjerë ishin me sëmundje kronike apo moshë më të madhe për tu aktivizuar në repartet ku trajtoheshin pacientët me COVID-19.

Gjithashtu thuhet se me përjashtim të Spitalit të Prizrenit, institucionet shëndetësore nuk kanë pasur plan veprimi për menaxhimin e hapësirave spitalore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, ndërsa SHSKUK-ja nuk ka pasur një plan veprimi për menaxhimin e pajisjeve mjekësore.

“Mungesa e procedurave standarde për bartjen e sigurtë të pacientëve krijon pasiguri tek pacientët që mund të shpie drejt ekspozimit të pacientëve ndaj rreziqeve të mundshme gjatë bartjes. Edhe planet përgatitore lidhur me sasinë dhe llojin e nevojshëm të Pajisjeve Personale Mbrojtëse (PPM-të) dhe materialeve tjera shëndetësore të nevojshme për t’u përballur me pandeminë nuk janë përcjellur me furnizim të mjaftueshëm, arsye e cila ka ndikuar që institucionet shëndetësore të mos kenë rezervat e duhura në fillim të pandemisë”, ka theksuar ZKA.

Më tej, Auditori ka konstatuar se problemet me lidhjen e kontratave, rritjet e vazhdueshme të çmimit të barnave, vonesat në liferimin e mallit për shkak të vështirësive të qarkullimit ndërkombëtar, ankesat e kompanive dhe ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) janë shkaktarët kryesorë që kanë ndikuar në planifikimin jo të mirë dhe furnizimin e pamjaftueshëm me medikamente, PPM, pajisje dhe materiale tjera medicinale.

Raporti thekson se planifikimi i sasisë apo llojit të barërave dhe materialeve medicinale të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19 nuk është bërë bazuar në barërat që u jepen pacientëve sepse institucionet shëndetësore nuk kanë një sistem të rregulluar, i cili i siguron këto informata.

“Edhe mungesa e një procesi të rregullt të komunikimit gjithëpërfshirës dhe sistematik në mes Kujdesit Primar Shëndetësor (KPSH) dhe niveleve tjera të kujdesit shëndetësor lidhur me trajtimin e pacientëve COVID-19 të cilët nuk janë hospitalizuar duke identifikuar me kohë nevojat për trajtim klinik të këtyre pacientëve mund të ndikojë në trajtimin me vonesë të pacientëve me COVID-19”, ka konstatuar Auditori.

Raportin e plotë “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19” mund ta gjeni KËTU.

Ndërsa raportin e plotë “Optimizimi i resurseve njerëzore, hapësirave spitalore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19” mund ta gjeni KËTU.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për mungesën e barnave për pacientët me COVID-19 e rrjedhimisht edhe blerjen e barnave me mjete vetanake.

Ilaqi i shtrenjtë i COVID duhet të blihet nga familjarët, në spitale nuk ka furnizime