Spitali i Prizrenit më i ngarkuari gjatë pandemisë, një mjek për gjashtë pacientë

Në muajin mars të vitit 2021, në kohën kur spitalet rajonale dhe klinikat e QKUK-së ishin të mbingarkuar me pacientë të infektuar me COVID-19, një mjek në Spitalin e Prizrenit ka trajtuar 5.9 pacientë apo pesëfish më shumë pacientë sesa një mjek në Klinika Covid-3 në QKUK, i cili ka pasur 0.9 pacientë.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila ka bërë auditimin për “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”, thuhet se shumica e të stafit shëndetësorë të angazhuar për pandemi kanë punuar me orar 12 orësh për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm të personelit.

“Vërejmë se gjatë muajit mars 2021 numri i pacientëve COVID-19 për mjek në Spitalin e Prizrenit ishte 5.9 pacientë për mjek, Spitalin e Pejës ishte 4.9 pacientë për mjek, në Klinikën Infektive të QKUK-së 4.8 pacientë për mjek, Pulmologji 2.4 pacientë për mjek dhe 1.8 pacientë për mjek në Klinikën Covid-4, çka nënkupton se ka pasur dukshëm më shumë pacientë për mjek sesa Klinika Covid-3 që kishte mesatare prej 0.9 pacientë për mjek apo Klinika MIQ Covid 1.4 pacientë për mjek”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, gjendje e njëjtë është edhe me numrin e infermierëve të angazhuar për pacientët me COVID-19.

Auditori ka gjetur se në Spitalin e Pejës, një infermier ka pasur 3.3 pacientë me COVID-4; në Spitalin e Prizrenit 1.8 pacientë për infermier, në Pulmologji 1.8 pacient për infermier dhe në Klinikën Infektive të QKUK-së 1.6 pacient për infermier.

“Vërehet se ka pasur dukshëm më pak infermierë për pacientë sesa Klinika COVID-3 që kishte 0.8 pacientë për infermier apo MIQ COVID me 0.5 pacientë për infermier”, thuhet në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, shqetësues është edhe dallimi në numrin e stafit mbështetës për pacientë në mes spitaleve / klinikave, ku në disa prej tyre kishte 4.2 pacientë për staf mbështetës, ndërsa në disa të tjera 14.5 pacientë për staf mbështetës COVID-19.

Numri total i personelit në ShSKUK është 7,297, përfshirë edhe të punësuarit në administratën qendrore, 45% e numrit të përgjithshëm janë të angazhuar në spitalet rajonale, ndërsa 47% janë të angazhuar në QKUK.

“Nga analiza e mësipërme vërejmë se përqindja e stafit jo-mjekësor në spitalet rajonale (21%) është më e lartë se përqindja në ShSKUK (19%) dhe përqindja në QKUK (16%). Nga krahasimi në QKUK vërejmë se përqindja e mjekëve dhe infermierëve në totalin e të punësuarve është më e lartë se përqindja në totalin e të punësuarve mjek dhe infermier në spitalet rajonale apo në ShSKUK”, theksohet më tej në këtë raport auditimi.

Fillimi i pandemisë COVID-19 e ka gjetur vendin tonë me numër jo të mjaftueshëm të personelit shëndetësor, ku sipas Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2017-2021, Kosova me 1.2 mjekë në 1,000 banorë është vendi me numrin më të vogël të mjekëve për kokë banori në Ballkanin Perëndimor.

Bazuar në indikatorët e Bankës Botërore vendet e tjera të rajonit si Shqipëria, në vitin 2016 kishte pasur 1.2 mjekë në 1000 banorë, Bosnja e Hercegovina 2.0 mjekë, Mali i Zi 2.3 mjekë, Serbia 3.1 mjekë dhe Maqedonia e Veriut 2.9 mjekë në 1000 banorë.

Sipas intervistave audituese me zyrtarët në institucione shëndetësore, vazhdimisht është theksuar si shqetësim i veçantë numri i pamjaftueshëm i profileve të caktuara të personelit shëndetësor në përgjithësi, por shqetësimi më i madh në këtë situatë pandemike ka qenë mungesa e numrit të mjaftueshëm për infektolog, epidemiolog, pulmolog, anesteziolog, infermier, bartës, etj.

Rekomandim me prioritet për qeverinë e Kosovës nga Zyra Kombëtare e Auditimit është që Qeveria e Kosovë të prioritizoj funksionalizimin dhe implementimin e plotë të Sistemit Informativ Shëndetësorë në mënyrë që të ketë një planifikim dhe menaxhim të duhur të burimeve njerëzore shëndetësore, barërave dhe materialeve tjera shëndetësore, hapësirave shëndetësore (qendrat e mjekësisë familjare dhe spitalet), dhe menaxhimin e pacientëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës janë pajtuar
pjesërisht me gjetjet e ZKA-së në këtë raport.

Muaji mars i vitit 2021 konsiderohet ndër muajt ku Kosova ka pasur deri në 10 mijë raste aktive në ditë dhe brenda një dite kanë vdekur rreth 10 pacientë me COVID-19.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar në fund të muajit mars të vitit 2021. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.665.209 doza të vaksinës. Deri më sot, 780.327 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.