Ministri Çeku flet për ekspertin e Ministrisë që do të paguhet 5,560 euro në muaj

Ministria e udhëhequr nga Hajrulla Çeku e ka angazhuar një ekspert, të cilin do ta paguajë 5 mijë e 560 euro në muaj.

Visar Salihu ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në vlerë 133 mijë e 440 euro si menaxher i lartë i portofoleve – analist i lartë i politikave.

E për këtë çështje në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur vetë ministri Çeku. Ai shpjegoi se  Salihu do paguhet 5 mijë e 560 euro në muaj për shërbimet që ai do të kryejë në MKRS.

Çeku ka thënë se Visar Salihu nuk e ka pozitën e zyrtarit të kësaj Ministrie por është konsulent dhe do të paguhet për shërbim profesional, duke shtuar se nuk do të marrë pagë, por do të marrë pagesë për shërbimet që është paraparë që ai t’i kryejë.

“Ti iu referove kësaj si pagë, kjo nuk është pagë. Është konsulencë, pagesë për shërbim profesional. Nuk është zyrtar i Ministrisë, është konsulent” – thotë i pari i Ministrisë së Kulturës.

“Kur thua zyrtar, e nënkupton zyrtarin publik ose zyrtarin civil, nëpunësin civil të Ministrisë. Ky nuk është i tillë, prandaj ky nuk merr pagë, paguhet për shërbimin profesional që e ofron” – vazhdon tutje ai.

Çeku gjatë intervistës tregon se përgatitjet për marrjen e një profili të tillë, duke iu referuar këtu ekspertit Salihu, ka filluar në fund të vitit të kaluar, ndërsa thirrja është shpallur në shkurt ose në mars të këtij vitit përmes prokurimit.

“Në fund të vitit të kaluar ka nisur përgatitja për një profil të tillë, sepse kemi nevojë shumë për profile të tilla. Në shkurt ose mars të këtij viti është shpallur për herë të parë thirrja përmes prokurimit për një profil të tillë. Nuk ka aplikuar asnjë” – thotë ministri.

Ministri tregon se në planet e tij janë që të ‘mos ndalen, e të angazhojnë edhe të tjerë’, duke shtuar se konsulent të tillë ka edhe të tjerë në MKRS, e që madje paguhen edhe më shumë.

“A e di që ka plot të tjerë në Ministri si ky, edhe ma shumë marrin” – thotë ministri duke shtuar se asnjë procedurë e kontraktimit të këtij konsulenti nuk ka qenë jopublike.

I pari i Ministrisë së Kulturës në Kosovës ka shpjeguar disa nga punët që do i kryejë Salihu. Çeku ka thënë se e para punë e këtij të fundit është që të bëjë analizën hapësinore në rastet kur do të ketë investime kapitale, pra ndërtim të ndonjë stadiumi, qendre kulturore apo diçkaje tjetër.

“Kur dëshiron me ndërtu diçka, stadium, qendër të kulturës, çkado qoftë ajo, duhesh me e pa në cilin lokacion po e ndërton, a është i përshtatshëm lokacioni apo analizat hapësinore” – shprehet Çeku.

Detyra e dytë sipas ministrit janë detyrat projektuese, që sipas Çekut i paraprijnë çfarëdo konkursi për ndërtim për investim kapital.

“E treta vetë konkursi, nëse është konkursi ndërkombëtar për shembull çfare i kemi disa tash duke i përgatitë është shumë me rëndësi me u përgatitë mirë që të aplikojnë kompanitë ndërkombëtare dhe duhet me u siguru që po e zgjedh më të mirin” – thotë ministri duke shtuar edhe një mori procesesh, të cilat ai i konsideron shumë të rëndësishme.

Tutje, ministri Çeku thotë se janë me dhjetëra projekte të kaluara të cilat i cilëson si të dështuara e që për këto projekte me miliona euro, sipas ministrit, kanë shkuar dëm.

Çeku vlerëson se me ekspertin Salihu, që do të paguhet 5 mijë e 560 euro për dy vjet radhazi, më nuk do të ketë miliona euro të shkuara dëm.

“Arsyeja kryesore pse projektet e kaluara, dhjetëra kanë dështuar, kanë hyrë miliona janë blloku. Me 5 mijë e 500-shin e këtij, a e din çka sigurohemi, këto milionat që kanë shku dëm, nuk kanë me shku dëm prapë, edhe e dyta ky nuk ka me qenë i vetmi, ka me pasë edhe të tjerë qysh ka edhe të tjerë” – shprehet ai.

Visar Salihu, i cili e ka fituar kontratën e MKRS-së përmes tenderit në një garë që nuk kishte asnjë konkurrent, do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës.

Eksperti i angazhuar nga Ministria që drejtohet nga Çeku i Vetëvendosjes do të ketë pagë dukshëm më të madhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Paga e tij është 3.7 herë më e madhe se e kryeministrit, apo çdo muaj do të marrë nga 4 mijë e 60 euro më shumë eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës.

Salihu, në dy vitet e ardhshme, do të marrë 97 mijë e 440 euro më shumë sesa kryeministri Albin Kurti.

Eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës, që do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës, nuk ka dashur të japë detaje për punën që ai do të bëjë në këtë dikaster qeveritar.

“Unë nuk mund të jap informata të tilla, drejtohuni te autoritetet, të gjitha detyrat që janë të përshkruara në kontratë jam i obliguar që t’i kryej” – kishte thënë shkurt Salihu në një bisedë përmes telefonit për KALLXO.com.

Nga Ministria e Kulturës patën thënë se Visar Salihu i angazhuar si analist i lartë i politikave do të ofrojë shërbime profesionale, sipas kërkesës në reformim, zhvillim dhe menaxhim të politikave, programeve e projekteve në kuadër të dikastereve të ndryshme, e të tjera.

Ministria e Hajrullah Çekut do të paguajë një ekspert 5,560 euro në muaj