Ministria e Hajrullah Çekut do të paguajë një ekspert 5,560 euro në muaj

Ministria e udhëhequr nga Hajrullah Çeku e ka angazhuar një ekspert të cilin do ta paguajë 5,560 euro në muaj. 

Visar Salihu ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vlerë 133 mijë e 440 euro si menaxher i lartë i portofoleve – Analist i lartë i politikave.

Salihu, i cili e ka fituar këtë kontratë përmes tenderit në një garë që nuk kishte asnjë konkurrent, do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës. 

Eksperti i angazhuar nga ministria që drejtohet nga Çeku i Vetëvendosjes do të ketë pagë dukshëm më të madhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Paga e tij është 3.7 herë më e madhe se e kryeministrit, apo çdo muaj do të marrë nga 4 mijë e 60 euro më shumë eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës. 

Salihu, në dy vitet e ardhshme, do të marrë 97 mijë e 440 euro më shumë se sa kryeministri Albin Kurti. 

Kryeministri Albin Kurti, një prej vendimeve të para që kishte marrë së bashku me kabinetin e tij ishte ulja e pagës së kryeministrit, ministrave dhe stafit politikë. Derisa Vetëvendosje ishte në opozitë, kishin dorëzuar kallëzim penal në Gjykatën e Prishtinës kur Ramush Haradinaj, atëherë kryeministër, kishte marrë vendim për rritje të pagës së tij dhe kabinetit qeveritar.

“Me pas kryeministri rrogën më shumë se 10-fishi i pagës mesatare në vend është e papranueshme. Një pensionist i merr 75 euro, qytetarët që marrin ndihmë sociale edhe më pak. Me një kalkulim të thjesht i bie se Haradinaj me ministra do t’i kenë pagat më shumë se 40-fishi i pensioneve!” – kishte thënë në atë kohë Albulena Haxhiu për vendimin e Haradinajt.

Kurti është treguar duarshtrenguar kur është fjala tek kërkesa e Sindikatës së Arsimit për rritje të pagave. Ai ka refuzuar që t’ia plotësojë kërkesën e mësimdhënësve për rritjen e pagave për 100 euro dhe për pasojë mësimi ka filluar me 1 muaj vonesë.

“Ndihmom si vëlla, na ndihmo të dalim prej krizës si vëlla, ami 100 euro”, kishte thënë Kurti para deputetëve të Kosovës teksa e shpjegonte takimin që kishte me sindikalistët e arsimit në tentim për të gjetur një zgjidhje për ndaljen e grevës.

Eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës, që do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës, nuk ka dashur të jap detaje për punën që ai do të bëjë në këtë dikaster qeveritar. 

“Unë nuk mund të jap informata të tilla drejtohuni të autoritetet, të gjitha detyrat që janë të përshkruara në kontratë jam i obliguar që t’i kryej”- tha shkurt Salihu në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com. 

Nga Ministria e Kulturës kanë thënë se Visar Salihu i angazhuar si Analist i lartë i politikave do të ofrojë shërbime profesionale, sipas kërkesës në reformim, zhvillim dhe menaxhim të politikave, programeve e projekteve në kuadër të dikastereve të ndryshme, etj. 

“Disa angazhime të tjera të ndërlidhura janë edhe dhënia e këshillave strategjike dhe funksionale, avancimi i bashkëpunimit, përfaqësimit dhe partneriteteve, zhvillimi i njohurive dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale si dhe raportimi i rregullt” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës për KALLXO.com. 

Mungesa e kapaciteteve profesionale brenda Ministrisë së Kulturës 

Ministria e Kulturës ka thënë se angazhimi i ekspertëve po bëhet për fusha të caktuara sepse aktualisht nuk ka kapacitet për menaxhimin dhe hartimin e projekteve kapitale strategjike.

“MKRS gjatë vitit 2021 dhe 2022 në vazhdim ka angazhuar ekspertizë profesionale lokale dhe ndërkombëtare për profile shumë specifike, dhe do të vazhdojë përpjekjet për mobilizim të kapitalit të nevojshëm njerëzor për të siguruar procese me integritet dhe shkallë të lartë të profesionalizmit në zhvillimin dhe zbatimin e objektivave strategjike të qeverisë” – thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KALLXO.com. 

Ministria e Kulturës ka thënë se në kuadër të programit qeverisës dhe projekteve kapitale që kanë filluar e të cilat kalojnë vlerën prej më shumë se 100 milionë eurove, nuk ka pasur trajtim adekuat dhe ka pasur shkelje të shumta në procese të hartimit të tyre. 

“MKRS aktualisht ka një numër të projekteve të hapura si p.sh. Projekti i Stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe të tjera të cilat nuk kanë dinamikën e duhur të zbatimit si rezultat i trajtimit joadekuat dhe shkeljeve të shumta në procese të hartimit të projekteve ideore e zbatuese, mungesës së lejeve ndërtimore dhe pëlqimeve përkatëse, si dhe menaxhimit të kontratave për ekzekutimin e punimeve në terren” – thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Salihu është angazhuar në një tender në të cilin ishin kërkuar 5 ekspertë dhe gjithë vlera e parashikuar e tenderit 168 mijë e 850 euro. Pjesa më e madhe e kësaj vlere, apo 133 mijë euro do të shkojnë për pagën e Salihut pasi pozitat e tjera janë kërkuar për vetëm disa ditë apo me paga dukshëm më të ulta. Në këtë tender ishte kërkuar angazhimi i një konsulenti për marrëdhënie me publikun në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit; dhe tri pozita për Konsulente (staf mbështetës) për zyre të të Drejtave të Autorit. 

Përveç me Visar Salihun si Analist i lartë i portofoleve, deri më tani, Ministria e Kulturës ka nënshkruar kontratë vetëm me një konsulente si staf mbështetës të Zyrës për të drejtat e autorëve. E angazhuara në këtë pozitë është Florentina Grubi Vula, e cila do të paguhet 1,950 euro për një muaj. Ministria e Kulturës ka njoftuar se dy aplikantët e tjerë në këtë tender, nuk kanë kaluar fazën administrative për pozitat në të cilat kanë aplikuar.

Kandidatët që kanë aplikuar për pozitat e shpallura nga Ministria e Kulturës janë vlerësuar në bazë të ofertës financiare, intervistave, metodologjisë së punës dhe letrave motivuese. Përveç kritereve të tjera, kandidatët e rekomanduar, i janë nënshtruar edhe intervistimit më 28 shtator. Por intervista si njëri nga kriteret për pranim është kritikuar nga kandidatë që kanë aplikuar në këtë tender. Intervista është quajtur “subjektive dhe pa kritere matëse e vlerësuese”.

“Për ne si kandidatë është e pakuptueshme se si do të bëhet vlerësim sipas jush dhe si do t’i vendosni pikët dhe përcaktoni p.sh. për “intervistën” të cilën nuk e parasheh kjo rregullore dhe këtu humb kuptimi i prokurimit dhe qëllimi e kësaj rregullore sepse “INTERVISTA” është subjektive dhe s’ka kritere matëse dhe vlerësuese por diskriminuese dhe favorizuese”, thuhet në njërën nga pyetjet që është parashtruar nga kandidatët në lidhje me intervistën si kreter të vendosur nga Ministria e Kulturës. 

Ministria e Kulturës është përgjigjur në këtë pyetje duke thënë se vlera e intervistës është vetëm 15% dhe nuk e përcakton rezultatin final.

“Intervista e gjen zbatimin te shtylla – Transformimi i dijes (si formë opsionale). Ky kriter ka një vlerë të peshimit 15% dhe se në asnjë formë nuk mund të jetë derterminues/përcaktues në rezultatin final” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë. 

Të njëjtit kanë potencuar se tenderi është në përputhje me kriteret dhe rregullat e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Ministrisë së Kulturës si Autoritet Kontraktues. 

Por, Rregulla e KRPP-së që është cituar nga Ministria e Kulturës parasheh që transferi i dijes maksimumi mund të ketë 10 pikë nga 100 sa duhet të jetë totali, apo 10%.

Ligji për zyrtarët publikë dhe një rregullore e veçantë e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik ua ka mundësuar institucioneve që të angazhojnë me kontrata për shërbime ekspertë të fushave të ndryshme përmes tenderëve, që nga nëntori i vitit 2020. 

Përmes rregullores, KRPP-ja kishte dhënë sqarime se punësimet përmes tenderëve mund të bëhen vetëm për profile që stafi i brendshëm i institucioneve nuk i plotëson. 

KRPP përmes një dokumenti që e kishte lëshuar në vitin 2021 kishte dhënë vërejtje për institucionet që e e kanë shfrytëzuar këtë formë të punësimit të punëtorëve të profileve të ndryshme.