Ministri Blerim Kuçi: Nuk kemi hapësirë të favorshme për mbajtjen e luanit

Ka një vit që një luan është duke u mbajtur ilegalisht, në kushte të pafavorshme për jetesë në resortin “Maja e Zezë” në Gjilan.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka thënë se me kapacitetet infrastrukturore që posedon Kosova nuk ka një hapësirë të favorshme për të mbajtur këtë luan.

“Mirëpo, angazhimi ynë nuk do të mungon për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë për këtë luan”, ka shkruar Kuçi në Facebook.

Kuçi ka shkruar se sot është njoftuar në parim për ngjarjen nga zyrtarët e Ministrisë dhe kabineti i tij po merret për hapat e mëtutjeshëm, duke qenë edhe në komunikim me anëtarët e shoqërisë civile.

“Tashmë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka një Grup Punues për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të shoqërisë civile” ka shkruar ai.

Tutje, ai ka shkruar se ky rast po trajtohet edhe në Prokurorinë Themelore të Gjilanit dhe se Prokurorisë i ka shkuar një letër më 1 shtator 2020 me propozime për hapat që duhen ndërmarrë për rastin në fjalë, mirëpo ende nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare.

Dje, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kishte reaguar në lidhje me mbajtjen ilegale të luanit duke thënë se është konstatuar se luani është kontrabanduar në Kosovë dhe është konfiskuar në fillim të këtij viti.

Sipas Fondacionit luani vazhdon të qëndrojë i mbyllur në të njëjtin vend si pasojë e mosangazhimit të institucioneve.

Sipas fondacionit, organizata ‘FOUR PAWS International’ ka ofruar strehim për luanin në një nga qendrat e saj të shpëtimit, mirëpo deri më tani Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk po i kryen detyrat e veta për të mundësuar transferimin e luanit, përkundër faktit që kemi tentuar disa herë të kontaktojmë direkt edhe ministrin Blerim Kuçi.

Përmes këtij postimi, ata dje i kishin bërë thirrje përsëri ministrit Kuçi dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë të angazhohen seriozisht në këtë çështje dhe luanit t’i mundësohet transferimi sa më shpejtë që është e mundur.