Minatorët e Trepçës ndërpresin grevën

Punëtorët e minierës së Trepçës kanë ndërprerë grevën e nisur dje për shkak të vonesave në paga.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të Trepçës, Ardian Syla.

Rreth 300 minatorë kishin hyrë në grevë, me kërkesën për pagat e muajit tetor.

Sipas Sylës, pas negociatave nga të gjitha palët si bordi, menaxhmenti, sindikata dhe punëtorët është arritur marrëveshja për ndërprerje të grevës.

“Kohëve të fundit, Trepça është duke u përballur me gjendje jo të mirë financiare. Në mungesë të prodhimit kemi pasur edhe jo likuiditet financiar, prandaj ka pasur edhe vonesa në ekzekutimin e pagave si dhe obligimeve tjera. Ndërmarrja Trepça është ndërmarrje prodhuese, prandaj edhe gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe prodhimi i koncentratit”, ka shkruar Syla.

Ai ka bërë të ditur se pagat e punëtorëve për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejt. Sipas tij, edhe rregullimi i cilësisë së ushqimit si dhe kushtet e tjera të punës në minierë janë në përfundim e sipër.

Syla ka thënë se tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës, duke treguar trend të rritjes së prodhimit dhe çdo grevë eventuale vetëm sa do të pengonte zhvillimin e ndërmarrjes.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Rifillon puna në ndërmarrjen Trepça!

Pas negociatave nga të gjitha palët në ndërmarrjen Trepça; Bordi, Menaxhmenti, Sindikata si dhe punëtorët e ndërmarrjes Trepça, puna në minierën e Stantërgut pas një ndërprerje dy ditore ka rifilluar.

Kohëve të fundit, Trepça është duke u përballur me gjendje jo të mirë financiare. Në mungesë të prodhimit kemi pasur edhe jo likuiditet financiar, prandaj ka pasur edhe vonesa në ekzekutimin e pagave si dhe obligimeve tjera. Ndërmarrja Trepça është ndërmarrje prodhuese, prandaj edhe gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe prodhimi i koncentratit.

Pagat për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë, pas liferimit të sasisë së grumbulluar së koncentratit të plumbit dhe zinkut.

Rregullimi i cilësisë së ushqimit si dhe kushtet tjera të punës për punëtorët në minierë janë në përfundim e sipër.

Tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës duke treguar trend të rritjes së prodhimit prandaj Trepçës i është kthyer shpresa sado e vogël për një stabilitet financiar. Prandaj, çdo grevë eventuale vetëm se do të pengonte zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes.

Falenderojmë gjithë punëtorë e Trepçës për mirëkuptimin e tyre si dhe kontributin e dhënë ndër vite në zhvillimin e ndërmarrjes Trepça.

VIDEO – Minatorët e Trepçës në grevë për shkak të pagave