VIDEO - Minatorët e Trepçës në grevë për shkak të pagave

 

Punëtorët e minierës së Trepçës kanë ndërprerë sot punën dhe kanë nisur një grevë në kërkim të pagave.

Greva është nisur nga rreth 300 punëtorë të ndërrimit të parë të cilët thonë se nuk kanë marrë pagat.

Por përveç pagave jo të rregullta, ata po protestojnë edhe kundër pajisjeve të vjetruara të punës e ushqimit të dobët.

Përfaqësuesi i Sindikatës së punëtorve të Trepçës Gani Osmani, ka thënë për KALLXO.com se tre muajt e fundit nuk kanë pasur stabilitet me paga, ani pse sipas tij ka pasur prodhim.

Ai thotë se nuk është bërë shitja e koncentratit prej nga realisht edhe i marrin rrogat këta punëtorë.

“Tre muajt e fundit nuk kemi pasur stabilitet në paga, nuk i kemi marrë me rregull dikush kemi marrë me përqindje më pak, dikush me 30 për qind, dikush me 4 për qind, ose gjysmë rroge… këta dy muajt e fundit ka qenë prodhimi i mirë, plani është realizuar, koncentrati nuk është shitur ndërsa ne prej mjeteve nga të cilat shesim koncentratin i marrim pagat”, tha Osmani.

Sipas Osmani nga kryeshefi i tyre kanë marrë përgjigjje se nuk është shitur koncentrati, kurse përveç pagës, mes tjerash ka përmendur edhe Ligjin e punës, paisjet e punës, ushqimin e dobet, si kushte të rënda të punës për minatorët.

“E kemi thirrë edhe kryeshefin me na dhënë arsye pse nuk ka paga…Përgjigjja ka qenë se nuk kanë mujt me shitë koncentratin..Kushtet e punetorëve janë të këqija, Ligji i punës me një fjalë janë mbledhur të gjitha. Kryesore ka qenë paga, ushqimi shumë i dobët, mjete të punës nuk ka, do të thotë këto janë tre gjerat…sot nuk është punuar, ne po presim pergjigjje prej menagjerit qka po thotë sot ose nesër, pastaj shohim tutje, ndoshta nesër punetorët marrin një iniciative tjetër, nuk mund të garantoj unë, punetorët vendosin vetë “, theksoi Osmani.

Për situatën e vështirë në minieren e Trepçes ka folur edhe minatori Faik Mehmeti.

Ai ia ka hedhur fajin menaxherit të Trepçës lidhur me gjendjen e keqe aty, duke shtuar se punëtorët nuk janë përgjegjes për shitjen e koncentratit.

“Kërkesat tona janë për paga, sot ishte menaxheri tha unë nuk muj me i bo pagat se nuk s’kemi para, ne nuk jemi kompetentë për me shitë koncentratin por është ai vetë, në jemi për me nxjerrë…më keq se tash kurrë nuk ka qenë..pagat tona me i lypë kur kemi punuar, jo unë nuk muj i bëjë kur s’mundet menagjeri me i bo smuj i boj unë”, tha Mehmeti.

Kurse Ismail Haxha po ashtu minator në Trepçë për më shumë se 4 dekada ka deklaruar se do të vazhdojnë grevën deri në përmbushjen e kerkesave të tyre.

“Në grevë kemi hyrë vetëm për një arsye i kemi kërkuar pagat tona të cilat i meritojmë. Prej tyre nuk morëm asnjë përgjigje prandaj u detyruam të ndalemi dhe sigurisht se kjo do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave tona”, deklaroi Haxha.

KALLXO.com ka provuar gjatë gjithë ditë të kontaktojë me Kryeshefin Ekzekutiv të Trepçës , Basri Ibrahimi, por ai nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se është i zënë.