Foto: Ilustrim

Mësuesi nga Mamusha arrestohet nën dyshimet për dhunë fizike ndaj disa nxënësve

Një arsimtar nga Mamusha është arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se i njëjti ka përdorur dhunë fizike ndaj nxënësve të klasës së gjashtë.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se informatat lidhur me rastin këta të fundit i kanë marr 11 shkurt të këtij viti.

Policia ka thënë në datën e lartcekur ka pranuar një videoincizim nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë.

Tutje është treguar se arsimtari është intervistuar dhe i njëjti, sipas Policisë, ka thënë se forcën fizike ndaj nxënësve e ka përdorur pasi këta të fundit kanë qenë të mos bindur dhe kanë hyrë e dal nga klasa gjatë orës mësimore.

“I dyshuari është intervistuar dhe i njëjti deklaroi se nga mos mbajtja e disiplinës së nxënësve, hyrje- daljet në klasë gjatë orës mësimore, ai e kishte humbur durimin dhe në një moment kishte përdorur forcë fizike ndaj disa nxënësve”, njoftoi Policia.

Gjithmonë duke iu referuar raportit të Policisë, arsimtari 62 vjeçar me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.