Mërgim Lushtaku vendos fotografinë e Hashim Thaçit prapa Vjosa Osmanit

Kritika të shumta i janë dhënë Kryeparlamentares Vjosa Osmani në lidhje me zhvendosjen e fotografisë së Presidentit Hashim Thaci në zyrën e saj.

Kritikat erdhën nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

E gjatë ditës së sotme kur po mbahet edhe seanca plenare, njëri nga deputetët e PDK-së u kujdes që një baner me fotografinë e presidentit Thaçi të vendoset mbrapa karriges ku qëndron e ulur kryeparlamentarja Osmani.

Mërgim Lushtaku vendosi fotografinë e Thaçit në ballë të Kuvendit, mbrapa karriges së Vjosa Osmanit dhe në vendin ku përballë janë të gjithë deputetët e subjekteve politike.

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën në të cilën pritet të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha që në nderim të veprës së Nexhmije Pagarushës kjo seancë do të fillojë më këngën e saj ‘Baresha’.

“Në nderim të Nexhmije Pagarushës, do t’ia fillojmë seancës më zërin e saj, me njërën nga perlat më të bukura të muzikës shqipe”, tha Osmani.