Menaxhmenti i Trepçës thotë se minatorëve s'do t’u kompensohen ditët e grevës, reagon sindikata

Menaxhmenti i Trepçës ka thënë se nuk do t’u kompensohen ditët e humbura minatorëve që janë në grevë, meqë “kjo është humbje edhe për menaxhmentin edhe për punëtorët”.

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar duke thënë se kjo është përpjekje për të shantazhuar e frikësuar minatorët, të cilët po grevojnë për shkak se e kanë marrë vetëm 68 për qind të pagës së tyre.

Menaxhmenti ka shkruar se ndërrimi i dytë i punëtorëve të Njësisë Miniera me Flotacion nuk kanë pranuar të hyjnë në minierë që nga 14 qershori, pa paralajmërim.

“Ditën e njëjtë të gjithë të punësuarve në Trepça Sh.A., ju janë paguar pagat në vlerë prej 68% të pagës neto për muajin e kaluar, maj 2024. Ne si menaxhment jemi zotuar se ditëve në vijim do të procedojmë edhe me pjesën tjetër, në rast se prodhimi nuk ka ngecje” – thuhet njoftimin e publikuar në Facebook.

Mirëpo, Sindikata thotë se pretendimet për prodhim janë të paqëndrueshme, pasi edhe muajin e kaluar ka pasur rezultate të jashtëzakonshme në prodhim, krahasuar me kushtet ekstrem të vështira të punës.

“Por ju zotëri “Kryeshef”- menaxhment nuk e keni realizuar misionin për të cilin jeni mandatuar. Andaj nuk është e ndershme e as njerëzore që dështimin tuaj ta faturoni dikund tjetër. Duhet të merrni përgjegjësinë për dështimet dhe dëmtimin e minierës” – ka shkruar Sindikata.

Kjo sindikatë ka thënë se është bërë traditë që menaxherët dhe drejtuesit ekzekutivë të Trepçës të fajësojnë minatorët për dështimin e ndërmarrjes dhe mospunën e tyre, si dhe ka kërkuar nga Qeveria që të gjejnë zgjidhje për minierën duke bërë investime kapitale “si e vetmja rrugëdalje nga kaosi”.

Në njoftimin e menaxhmentit është thënë po ashtu se si asnjëherë më parë Sindikata e Minatorëve të Trepçës nuk e ka marrë përsipër organizimin, nuk ka Këshill Grevist e as grup të punëtorëve të cilët e marrin përgjegjësinë për këtë bojkot. Ky menaxhment ka thënë se nuk do të ndalet së vepruari për të zgjidhur këtë sfidë të cilën e kanë quajtur të jashtëzakonshme.

“Menaxhmenti për minatorët, minatorët për Trepçën!” – përfundon njoftimi i menaxhmentit.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Destan Kërleshi ka thënë sot për KALLXO.com se prej gjashtë ditësh minatorët nuk kanë shkuar në punë.

“Menduan se po e bëjmë një marrëveshje me kryeshefin, por ai nuk premtoi se do të bëhet ndonjë zgjidhje. Javën e kalume të premten ka dalë 68% e pagës, ndërsa pjesa tjetër nuk ka dalë ende… I është premtu që do t’iu del para bajramit, nuk iu ka dalë paga e plotë dhe punëtorët kanë hy ne grevë” – ka thënë Kërleshi.

KALLXO.com ka raportuar edhe në muajt paraprak për vonesat në paga.

Më 16.05.2024 Kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti ka pranuar se rrogat u janë vonuar pasi ndërmarrja nuk ka arritur të gjenerojë të hyra prej shitjes së xeheve.

“E vërtetë është. Ka ndodhë për shkak të pamundësisë për me gjeneru të hyra prej shitjes së koncentratit edhe kjo është arsyeja. Edhe mua më kanë thënë që kena me punu, kena me ba maksimumin po nuk e kanë ba. Në vend se me u bo 20,000 ton xehe, janë ba 6,000 ton xehe. E unë nuk jam minator, jam kryeshef”- pati thënë ai.

Por “arsyetimin” e kryeshefit se është dashur të bëhen 20,000 tonë xehe, por janë bërë 6,000 tonë xehe e ka kundërshtuar drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku.

“Për muajin prill janë kanë të planifikume 12,996 tonë jo 20,000 tonë   Janë përpunuar 6,000 e diçka tonë, po qajo xehe ka vazhduar me u përpunur edhe në muajin maj, që janë përpunu edhe gati 2,000 tonë pra janë 8000 e diçka tonë të përpunuara. Prej tyre janë fitu diku rreth 250 tonë koncentrat të zinkut edhe 200 janë koncentat të plumbit”- ka thënë drejtori i Minierës.

Ndërsa më 31 maj 2024, minatorët thonin se kjo gjë nuk mund të realizohet për shkak të mungesës së kushteve elementare që ka kjo ndërmarrje.

“Jo nuk ka shancë me i mbulu 20 mijë tonë me këto mjete, ne jemi duke e bërë të pamundshmen të mundshme”- ka thënë Sadik Aliu.