Foto-ilustrim

Mediat dhe Qeveria serbe i japin karakter etnik një incidenti që ka ndodhur mbrëmë në Bërnicë të Poshtme

Mediat serbe kanë raportuar për një incident që sipas tyre ka ndodhur dje në fshatin Bërnicë e Poshtme të Prishtinës.

Sipas portalit Kossev, persona të panjohur kanë hapur zjarr në drejtim të disa fëmijëve të komunitetit serb që po rrinin në oborrin e shkollës.

Portali citon shtatë fëmijë të cilët kanë thënë se sulmuesit flisnin shqip.

Sipas këtij portali, sulmuesi së pari e mbushi armën e kur fëmijët filluan të iknin ai gjuajti drejt tyre.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com i ka dërguar pyetje Policisë së Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Policia, ndërkaq, në raportin e saj të përditshëm e ka përmendur incidentin, duke e cilësuar si përdorim i armës.

Rasti, sipas Policisë ka ndodhur mbrëmë në ora 19:20.

“Dy dëshmitarë të gjinisë mashkullore kanë raportuar se derisa ka qenë në oborrin e shkollës, dy të dyshuar meshkuj të panjohur pas konfrontimit në të larguar njëri prej tyre ka shtënë me armë zjarri (nuk dihet drejtimi). Në vendin e ngjarjes janë dal njësitet relevante policore, ku është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e Policisë.

Sipas Kossev, sot gjatë ditës lidhur me rastin janë takuar kryetari i Graçanicës, përfaqësues të Policisë e të KFOR-it si dhe banorë të fshatit.

Lidhur me incidentin kanë reaguar edhe zyrtarë të Qeverisë serbe.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka kërkuar identifikimin urgjent dhe arrestimin e sulmuesve, ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka thënë se sulmi tregon për “lindjen e një gjenerate të re të shqiptarëve që dëshirojnë të shfarosin serbët e mbetur në Kosovë“.