Me veturat inteligjente në terren, Policia po vazhdon t'i identifikojë kundërvajtësit

Janë bërë gati një vit prej kur Policia e Kosovës është pajisur me veturat inteligjente.

Këto vetura, gjatë këtij viti janë parë mjaft shumë rrugëve të Kosovës, e zyrtarët policorë po vazhdojnë të identifikojnë kundërvajtësit në trafik përmes tyre.

Në një njoftim në Facebook, Policia ka rikujtuar që veturat po i mbajnë në terren me qëllim të ofrimit së sigurisë në trafikun rrugor.

Përmes veturave në fjalë, policët po identifikojnë mjetet e paregjistruara, mjetet që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, përdorimi i telefonit mobil gjatë ngasjes dhe po ashtu identifikimi i kundërvajtjeve tjera.

Në këto vetura që kryejnë patrullim inteligjent gjenden kamerat 360 shkallëshe, senzorët e radarët të cilat gjatë lëvizjes së veturës monitorojnë rrugën.

Sistemi i këtyre kamerave është i programuar që të detektojë kundërvajtësit në trafik.

Në ekranin e vendosur brenda veturës, zyrtarët policorë mund të shohin veturat që janë në rrugë në çfarë shpejtësie po lëvizin.

Në këtë ekran, përveç se do të figurojë shpejtësia e veturës së detektuar, po ashtu do të figurojnë edhe targat e veturës e detaje të tjera që e bëjnë më të lehtë identifikimin e kundërvajtësve.

Madje, për t’u lehtësuar edhe më shumë puna e Policisë së Kosovës e për t’u identifikuar sa më shumë persona të dyshuar apo edhe të akuzuar për vepra penale, “Patrulla Inteligjente” mundëson edhe njohjen e fytyrës.

Pra, përmes kamerave të kësaj patrulle do të mund të identifikohen edhe personat e kërkuar.

Veturat që do të identifikohen e të cilat do të shkelin rregulluat do të ndalohen dhe shoferëve do t’u shqiptohen gjobat e caktuara në bazë të ligjeve përkatëse.

Policët që përdorin këto vetura janë të trajnuar nga kompania që ka prodhuar këto pajisje dhe për të gjitha veprimet e tjera të këtij sistemi.