Foto: Sky News

Më shumë se 187,000 refugjatë ukrainas kanë arritur në Gjermani

Më shumë se 187,000 refugjatë që kanë ikur nga lufta në Ukrainë kanë arritur në Gjermani, sipas Ministrisë së Brendshme gjermane.

Deri të enjten, 187,428 refugjatë ishin regjistruar nga policia gjermane, por numri aktual i refugjatëve që vijnë mund të jetë dukshëm më i lartë për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare midis Polonisë dhe Gjermanisë, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme për CNN.

Shumica e refugjatëve që arrijnë në Gjermani janë gra, fëmijë dhe të moshuar, tha zëdhënësi i lartcekur.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, IOM, vlerësoi të hënën se më shumë 2.8 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit në fund të shkurtit.

Sot, është dita e 22 e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës duke e dënuar sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./CNN