( Ndotja masive e ambientit nga djegia e gomave, për përfitimin e gëlqeres. Fshati Lipovec, komuna e Gjakovës )

Me çmimin e parë dhe të dytë për Ambientin, shpërblehen tre gazetarë të kallxo.com

Tre gazetarë të BIRN janë shpërblyer me Çmimin e Ambientit për storiet e tyre për Ambientin. Ata kanë fituar vendin e parë dhe të dytë.

Gazetari Egzon Dahsyla ka fituar çmimin e parë me storien “Vazhdon djegia ilegale, shteti ka dështuar të trajtojë gomat e nxjerra nga përdorimi edhe pse është material i riciklueshëm” i publikuar në KALLXO.com, kurse Antigona Isufi dhe Blerta Begisholli janë shpërblyer me çmimin e dytë për storien “‘Kaosi urban’ fajësohet për zhdukjen e gjelbërimit në Kosovë” të publikuar në Prishtina Insight.

Çmimin e tretë e ka fituar Agnesa Qorri me storien “A duhet të ndalohet përdorimi i qeseve të plastikës në Kosovë? të publikuar në Telegrafi.

Çmimet janë dhënë nga organizata ÇOHU!

Storia e gazetarit Egzon Dahsyla trajton problemin e gomave që nxirren jashtë përdorimit. Në shkrim është analizuar se si shteti i Kosovës nuk ka një strategji kombëtare për trajtimin e gomës, pasi vetë shteti nuk ka të dhëna të sakta se ku shkojnë gomat që nxirren jashtë përdorimit. Gjithashtu në tekst tregohet për kompani private që janë marrë deri diku me këtë problematikë, por që viteve të fundit janë ‘dorëzuar’ karshi barrierave, për trajtimin e tyre. Po ashtu, në tekst tregohet se sa i dëmshëm është djegia e gomave dhe përdorimi ilegal i tyre.

Storia e gazetareve Antigona Isufi dhe Blerta Begisholli trajton me një qasje shumëdimensionale mungesën e hapësirave të gjelbra në qytete të ndryshme të Kosovës. Shkrimi në jep një qasje të veçantë duke analizuar programet e kandidatëve për kryetar të komunave sa i përket hapësirave të gjelbra në njërën anë dhe projekteve betonuese në anën tjetër. Duke vënë në pah, se këto të fundit janë prioritet i kryetarëve të komunave. Shkrimi na tregon se si pothuajse të gjithë kandidatët në programet e tyre elektorale kanë paraparë dhe kanë premtuar më shumë asfalt, më shumë parkingje, më shumë nënkalime dhe mbikalime, më shumë beton. Gjithashtu në shkrim i jepet një hapësirë ekspertëve të fushës së mjedisit, zyrtarëve përkatës të komunave dhe qytetarëve, të cilët kanë shprehur pikëpamjet e tyre lidhur me këtë çështje.

Artikulli i gazetares Agnesa Qorri trajton temën e largimit në qeseve të plastikës nga përdorimi. Shkrimi na tregon pasojat mjedisore që shkaktohen nga përdorimi i qeseve të plastikës, por në anën tjetër tregon edhe për pasojat që mund t’u shkaktohen bizneseve që merren me këtë veprimtari, nëse merret një vendim i menjëhershëm përmes të cilit ndalohet përdorimi i qeseve të plastikës.

Në shkrim i është dhënë hapësirë edhe pikëpamjeve të aktivistëve të mjedisit, përfaqësuesve të kompanive që merren me prodhimin e qeseve të plastikës dhe Ministrisë së Mjedisit. Shkrimi gjithashtu përmend shembuj dhe statistika të vendeve të ndryshme të cilat i kanë ndaluar apo e kanë reduktuar përdorimin e qeseve të plastikës.