ÇOHU: Të ndalen lidhjet klienteliste të politikës me bizneset dhe donatorët

Organizata “ÇOHU”, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalohet lidhja klienteliste mes subjekteve politike dhe bizneseve ose të shtohen masat e kontrollit të donacioneve që marrin këto subjekte.

Arton Demhasaj nga kjo organizatë, në një konferencë për media lidhur me financimin e partive politike ka thënë se Ligji për Financimin e Partive Politike nuk është funksional me gjithë ndryshimet që janë bërë.

“Ligji për Financimin e Partive Politike mbetet ndër ligjet më të pazbatueshme në vend. Për vite me radhë është krijuar lidhja klienteliste mes bizneseve dhe partive dhe kjo është e rrezikshme për shkak se përmes donacioneve dhe shumave të mëdha të tenderëve publik kanë krijuar monopol dhe kapital në vend”, tha ai,

Sipas Demhasajt problematik mbetet fakti që në raportet e Auditorit të Përgjithshme nuk paraqiten të gjeturat që subjektet politike financohen nga bizneset.

ÇOHU konsideron se përveç subjekteve politike, financimet dhe donacionet duhet t’i publikojnë edhe secili kandidat i tyre.

Kjo organizatë ka publikuar një video-grafi për të paraqitur në mënyrë vizuale raportet klienteliste që kanë lindur si pasojë e mos kontrollimit të financave të partive politike.

Sipas këtij video-grafi, shumica e partive politike në Kosovë, kanë deklaruar se burim të financimit e kanë buxhetin e shtetit dhe nga donatorë të jashtëm.

Sipas të dhënave të kësaj organizate, bizneset që janë sponsor të partive politike kanë përfituar tenderë në vlerë rreth 220 milionë euro.