(Arkiv) Ish-ministrja Dhurata Hoxha në gjykatë, Foto: KALLXO.com

Më 28 prill shpallet aktgjykimi në rastin e ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-drejtori i prokurimit publik, Fitim Mustafa dhe tre ish-sekretarët e kësaj Ministrie, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, të cilët po përballen me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare për rastin e kontratave lobuese, janë ulur edhe sot në bankën e të akuzuarve.

Në Gjykatën e Prishtinës sot është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurori Dren Paca në fjalën përfundimtare tha që të akuzuarit me dashje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Paca tha tutje se Dhurata Hoxha në cilësinë e ministres ka tejkaluar kompetencat kur kishte parashtruar kërkesa më të cilat kishte  iniciuar procedurat e prokurimit publik pa publikim të njoftimit të kontratës njëburimore.

“Pa mëdyshje konsiderohet se është vërtetuar se e akuzuara Dhurata Hoxha në cilësinë e ministres së Ministrisë së Integrimeve Evropiane kishte tejkaluar kompetencat e saj ligjore të përcaktuara sipas Ligjit të prokurimit Publik kur e njëjta kishte  parashtruar kërkesat me të cilat kishte iniciuar procedurat e prokurimit publik, pa publikim të njoftimit për kontrata njëburimore… si dhe kur kishte përcaktuar emrat e operatoreve ekonomikë me të cilët duhej të lidheshin kontratat nga kjo Ministri”- vazhdoi tutje prokurori Paca.

Kurse mbrojtësi i Hoxhës, Florent Latifaj, tha që në mungesë të fakteve dhe provave në fjalën përfundimtare të Prokurorisë, dëgjuam thashetheme.

“Në mungese të tërësishme të fakteve dhe provave për çka do te duhej t’i posedojë një prokurori, në fjalën përfundimtare të prokurorit dëgjuam thashetheme, për të mos i quajtur përralla”- tha Latifaj.

I njëjti kërkoi nga Gjykata që ndaj të mbrojturës së tij të merret aktgjykim lirues.

Lirim nga akuza për të mbrojturit e tyre kërkuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë gjatë dhënies së fjalës përfundimtare.

“I propozoj Gjykatës që të marrë aktgjykim lirues sa i përket të mbrojturin tim”- tha Mehdi Geci, mbrojtës i Mustafës.

“Propozoj që të mbrojturin tonë Demush Shasha ta lironi nga akuza sepse nuk është provuar përtej dyshimit të bazuar se i njëjti e ka kryer veprën penale, për të cilën akuzohet ndërsa është e qartë se barra e të provuarit se i akuzuari e ka kryer veprën penale i përket gjithmonë prokurorisë”- tha Tahir Rrecaj, mbrojtës i Demush Shashës.

“Prandaj kërkojmë dhe propozojmë Gjykatës që të gjithë dhe klienti im zotëri Cuka të lirohet nga kjo aktakuzë dhe unë konsideroj se ky vendim i Gjykatës do të ishte i drejtë dhe i ligjshëm”- tha Albana Kelmendi, mbrojtëse e Kushtrim Cukaj.

“Kërkoj nga ky trup gjykues që për të mbrojturin tim të nxjerrë aktgjykim lirues”-  tha Hajzer Salihu, mbrojtës i Nuhi Osmanit.

Përndryshe, me të filluar seanca për këtë rast Prokuroria bëri një riformulim të karakterit sqarues të normave blankete që të pandehurit i kanë shkelur.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 28 prill të këtij viti.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi më 2020, KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po i akuzon se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.