Britania e Madhe, Foto: Pixabay

Mbretëria e Bashkuar shprehet 'e shqetësuar' me aksionin e autoriteteve kosovare në veri

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësimin për aksionin e auroriteteve kosovare në komunat në veri të vendit në të cilat u mbyllën katër njësi të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, më 20.05.2024.

Sipas Ambasadës britanike, veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet.

“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë”- theksohet në reagimin e ambasadës në platformën “X”.

Ambasada ka inkurajuar autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla.

Operacioni i zhvilluar në pasditen e 20.05.2024,  rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë rreth 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga e mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

Departamenti Amerikan i Shtetit në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, tha se ky veprim minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

DASH-i i zhgënjyer shtoi se aksioni nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”- shkruan në përgjigje.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha që nuk është në dijeni për reagimin e DASH, por “veprimi është i bazuar në ligjshmëri”.

“Nuk është se ka ndodhur dje ai aktivitet ishte që këto aktivitete apo zyra kanë filluar aktivitetin në 2018, dhe kanë vazhduar të zhvillojnë aktvitetin në mënyrë të paligjshme dhe pa u njoftuar organet përgjegjëse të rendit”- tha ai në një konferencë për media më 21.05.2024.

Ky aksion pasoi një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.