Foto-ilustrim

Mbi 200 mijë euro grumbullohen në llogarinë e Qeverisë Kurti për menaxhimin e COVID-19

Mbi 200 mijë euro janë grumbulluar në llogarinë e vetëm zyrtare bankare të dedikuar për pranimin dhe evidentimin e fondeve që dedikohen në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave dhe Transfereve ka thënë se shuma ka tejkaluar vlerën e 200,000 Eurove.

“Për  momentin nën-llogaria bankare përkatëse ka tejkaluar vlerën e 200,000 Euro. Alokimi dhe shpenzimi i këtyre mjeteve do të bëhet tek organizatat buxhetore (nëse nuk janë dedikuara nga vet donatori), vetëm për dhe lidhur me qëllimin e deklaruar dhe përmes kodit të veçantë të projektit që kemi hapur për këtë qëllim (00099), për komponentë të ndryshëm në luftën kundër pandemisë, në pajtim me legjislacionin përkatës për financat publike”, ka thënë Shahini.

Po ashtu, ai tutje ka thënë se shuma e mjeteve te grumbulluara lëviz dhe aty pranohen mjetet në vijimësi si dhe se nuk kanë pasur vështirësi.

Ministria e Financave dhe Transfereve ka njoftuar se Thesari i Kosovës, në emër të Republikës së Kosovës, ka hapur një llogari zyrtare bankare të dedikuar për pranimin dhe evidentimin e fondeve që dedikohen në luftën kundër pandemisë COVID-19 (kredive, granteve dhe donacioneve).

MFT ka njoftuar për hapjen e llogarisë me qëllim të rritjes së transparencës si dhe llogaridhënies sa më të lartë ndaj publikut si dhe partnerëve, lidhur me kontributin dhe menaxhimin e këtyre fondeve.

Llogaria e hapur është pjesë e sistemit të Llogarisë së Vetme të Thesarit e hapur në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, funksionale nga data 1 Prill 2020, ku mund të kryhen të gjitha transferet brenda dhe jashtë vendit.