Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Mashtroi një grua nga Gjermania se do t'i ndihmojë në kthimin e 190 mijë eurove, dënohet kosovari

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 10 muaj burg dhe 5 mijë euro gjobë Genc Zabergjën për mashtrim të një gruaje me vendbanim në Gjermani. I akuzuari me identifikim të rrejshëm i kishte premtuar të dëmtuarës se do t’i ndihmojë në kthimin e parave në shumën prej 190 mijë euro në rast se këtij të fundit do t’i jepeshin 15 mijë euro. Për këtë, Zabërgja e kishte pranuar fajësinë.

Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, prej muajit qershor deri në muajin nëntor të vitit 2021.

Zabergja nga Prokuroria Speicale akuzohet se nga tetori i vitit 2020 e deri në verën e vitit 2021 përmes rrjetit social WhatsApp me dashje kishte mashtruar të dëmtuarën A.K.L., me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

I njëjti i ishte prezantuar rrejshëm të dëmtuarës kinse është personi me emrin Leonard Ademi.

I akuzuari me identifikim të rrejshëm i kishte premtuar të dëmtuarës se do t’i ndihmojë në kthimin e parave në shumën prej 190 mijë euro në rast se këtij të fundit do t’i jepeshin 15 mijë euro.

Kështu që duke e bindur të dëmtuarën që të vijë në Kosovë nga Gjermania, duke i rezervuar akomodim në një nga hotelet në Prishtinë e duke e udhëzuar paraprakisht që me vete e dëmtuara të sjellë shumën  e parave të gatshme prej 10 mijë euro kurse 5 mijë euro t’i nxjerrë gjatë qëndrimit në Kosovë.

A.K.L.,  për shumën prej 190 mijë euro, paraprakisht ishte mashtruar nga persona deri më tani të panjohur e të cilët ishin prezantuar si Timo Becker dhe Michael Baer.

Kjo shumë e konsiderueshme e të hollave ishte deponuar në xhirollogari të ndryshme të bankave në Lituani dhe Hungari.

Me të arritur e dëmtuara në Aeroportin  e Kosovës “Adem Jashari” e pas takimit të të akuzuarit me A.K.L., i pandehuri është arrestuar e ku është akuzuar për veprën penale të mashtrimit.