Mashtrimi me alkool dezinfektues, kompania futet në listën e zezë nga OSHP
Organi Shqyrtues i Prokurimit të premten ka marrë vendim që të diskualifikoj nga pjesëmarrja në prokurim publik kompaninë ‘Cleantech Group SH.P.K, pas kërkesës së bërë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Paneli Shqyrtues në përbërje nga Goran Milenkoviq- kryetar, Blerim Dina- anëtar dhe Nuhi Paqarizi ka konstatuar se lidhur me aktiviteti e prokurimit ‘Furnizim me maskë higjienike dhe dezinfektues alkool 70 për qind’, kompania në fjalë kishte paraqitur të dhëna të rreme.
“Produkti i ofruar nga operatori ekonomik Cleantech Group SH.P.K, në përbërje të tij kishte rreth 40% alkool, e jo 70% siç kishte kërkuar nga AK-KEK, dhe atë për periudhën kohore prej 6 muajve (6 muaj), të njëjtit operator ekonomik iu ndalohet pjesëmarrja në aktivitetin e Prokurimit Publik në Republikën e Kosovës që nga data 09.12.2020 deri më datë 08.06.2020”, thuhet në vendim.
Më datën 31 mars, Autoriteti Kontraktues- KEK pas dyshimeve për cilësinë e alkoolit kishte dërguar mostrën për analizë dhe pas pranimit të analizave kishte rezultuar se produkti në fjalë kishte vetëm 40 për qind alkool.
Me këtë rast në vendim sqarohet se KEK-u ka ndërprerë kontratën me kompaninë në fjalë dhe rasti është dërguar në polici nën akuzën për mashtrim.
Kallxo.com ka provuar të kontaktojë me përgjegjësit e kompanisë ‘Cleantech Group SH.P.K’ në numrin e telefonit i cili figuron në regjistrin e tyre në ARBK, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur deri në publikimin e lajmit.