Ilustrim

MASHTI jep detaje për numrin e aplikimeve për subvencionim të librave

32 mijë e 800 aplikime për subvencionimin e librave, zëvendësministri i Arsimit flet për fëmijët që janë regjistruar pa mbushur 6 vjet

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka njoftuar se sot deri në orën 16:00, janë pranuar 32 mijë e 800 aplikime në platformën eKosova, për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.

Kelmendi ka treguar se rastet e veçanta kur një fëmijë është regjistruar më herët se mosha 6 vjeçare në klasën e parë, po trajtohen duke e dërguar numrin personal të fëmijës, emrin e shkollës dhe Komunën në adresën elektronike [email protected].

“Sistemi është duke funksionuar mirë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (AShI) ekipet do të ofrojnë shërbim për mbështetje teknike edhe ditëve të fundjavës prej orës 09 deri në 16 në numrin 0800 30 900” – ka shkruar zëvendësministri në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se shtëpitë botuese tashmë i kanë publikuar çmimet e kopertinës së librave dhe se ato nuk mund rriten.

Po ashtu, sipas Kelmendit, ato kanë publikuar pikat e shitjes për të gjitha komunat.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur dje platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore.

Sipas Ministrisë, mjetet do të dalin në xhirollogaritë e prindërve apo kujdestarëve që nga java e ardhshme.

“Për secilin nga nxënësit filloristë (klasa 1-5), në total do të ndahen nga 80 euro, 50 euro për tekstet shkollore dhe 30 euro për mjetet mësimore. Ndërsa për nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët (klasat 6-9) të cilët i kanë librat të siguruar nga viti paraprak, do të ndahen nga 30 euro për mjetet mësimore” – ka njoftuar MASHTI.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21 gusht ka mbajtur një konferencë për media ku ka treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.

Zëvendësministri Kelmendi e kishte quajtur të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga Ministria e Arsimit, për shkak se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

“Kemi raste kur një libër kalon shifrën 25 euro. Apo kur libri “shoqëria e punës” bashkë me fletoren e punës e klasës së tretë kap shifrën 27 euro. Kjo situatë është e papërballueshme”- kishte thënë Kelmendi në konferencën për media.

Viti i ri shkollor fillon të premten, më 1 shtator.