Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Masakra e Reçakut, detaje ku janë hetimet e Prokurorisë

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, në emisionin “Kallxo Përnime” ka bërë të ditur se kanë filluar hetimet për masakrën e Reçakut dhe janë duke u trajtuar me prioritet nga Prokuroria Speciale.

“Këto raste të cilat i keni përmendur janë në mesin e prioriteteve tona dhe janë në procedim e sipër”, ka thënë Hajdari.

Tutje, prokurorja ka bërë të ditur se pjesë e hetimeve janë një numër i madh i provave.

“Aty është një numër i madh i hetimeve, i qytetarëve, numër i madh të provave që po grumbullohen në bashkëpunim të prokurorëve të luftës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe do të shohim epilogun pas përfundimit të hetimit”, tha ajo.

Ndërsa, në pyetjen se ku duhet të vazhdojnë të raportojnë viktimat e luftës dhe familjarët e tyre, prokurorja Hajdari ka thënë se vendi i duhur është Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

“Adresa e raportimit është Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Masakra e Reçakut ka ndodhur më 15 janar të vitit 1999, ku janë masakruar 45 shqiptarë.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia