Marko GJuriq - Foto: REL/AP

Marko Gjuriq reagon për arrestimet në veri të Kosovës

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, reagoi ndaj operacionit të sotëm policor në veri të Kosovës ku u arrestuan dy persona, një prej të cilëve pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Operacioni policor, sipas Policisë së Kosovës, ka të bëjë me hetimet rreth vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili mbeti i vdekur nga një sulm me armë zjari në afërsi të zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut në janar të vitit 2018.

Gjuriq tha të mërkurën në mëngjes se rreth 100 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës “të armatosur deri në dhëmbë” kanë hyrë në veri të Mitrovicës me 25 automjete policore.

“Ky është skenar për kriminalizimin e serbëve, që ata të frikësohen nën presionin e lidhur me krime të ndryshme që kanë ndodhur në Kosovë, përfshirë edhe disa vrasje”, tha Gjuriq.

“Serbia është e gatshme t’i mbrojë njerëzit e saj në Kosovë në rast të një përpjekjeje për dëbim, vrasje. Presidenti (i Serbisë) Aleksandar Vuçiq, ka folur shpesh për këtë”, tha Gjuriq.

Një aksion të gjerë ka zhvilluar mëngjesin e sotëm Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Aksioni i zhvilluar ka lidhje me rastin e vrasjes së ish politikanit serb Oliver Ivanoviq

“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, në veri të Mitrovicës Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes se z. Oliver Ivanoviq”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Baki Kelani.

“Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti Special, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar m/k/s zyrtar policor ( R. B. ) i përfshirë në urdhër kontroll. Përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor m/k/s mbetet në kërkim.”, ka thënë Kelani.

Sipas tij gjatë operacionit policor është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar tek i cili është gjetur një armë.

Poashtu në këtë operacion janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy armë të tjera dhe municion.

Prokurori Special i Kosovës, Sylë Hoxha, i cili po heton rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, tha sot në mëngjes se qëllimi i aksionit të Policisë në veri të vendit mëngjesin e sotëm, ku u arrestua një zyrtar i Policisë ka të bëjë me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Qëllimi i operacionit ishte arrestimi i dy të dyshuarve në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Të dyshuarit ndërlidhen me fshehjen e provave dhe krim të organizuar. Gjatë operacionit është arrestuar R. B., ndërsa nuk është gjetur Zh. B., por është arrestuar djali i tij tek i cili është gjetur një armë edhe pse nuk ka pasur urdhëresë për të”, ka thënë prokurori Sylë Hoxha.

Një aksion të gjerë ka zhvilluar mëngjesin e sotëm Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Aksioni i zhvilluar ka lidhje me rastin e vrasjes së ish politikanit serb Oliver Ivanoviq.