Malishevë, një qytetar ankohet se iu dogj traktori me gjithë kashtë nga telat e rrymës

Një qytetar nga fshati Bubavec i komunës së Malishevës është ankuar se për shkak të telave të rrymës i është djegur traktori.

Qytetari Hasan Bashota pretendon se telat e rrymës në këtë fshat janë në lartësinë prej 3.5 metra dhe si pasojë i është djegur traktori dhe kashta që e ka pasur aty.

Ai për KALLXO.com ka thënë se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 09:00 të mëngjesit derisa ishte duke kaluar në rrugë, ndërsa në traktor kanë qenë dy persona, që kanë marrë lëndime të lehta trupore, por që janë jashtë rrezikut për jetë.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zyrtarët e KEDS-it dhe të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, në lidhje me rastin por deri në momentin e publikimit të shkrimit, ai nuk ka kthyer përgjigje.