Malala u bën thirrje vendeve të hapin kufijtë për afganët

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, i tha BBC -së se vendet duhet të hapin kufijtë për refugjatët afganë, pasi Afganistanin e morën nën kontroll talibanët.

Malala Yousafzai i tha BBC se bota duhet të veprojë.

“Njerëzit vetëm dëshirojnë të largohen dhe kur e sheh këtë e kupton se është një krizë urgjente humanitare. Ne jetojmë në një botë që duhet të përparojë për barazinë gjinore dhe s’mund ta shohim një shtet duke u kthyer dekada dhe shekuj mbrapa”, tha Malala.

“Duhet të ndërmerren veprime për vajzat dhe gratë, për minoritetet dhe për paqen dhe stabilitetin. Mendoj se çdo shtet ka rëndësi dhe përgjegjësi tani. Ata duhet t’i hapin kufijtë e tyre për refugjatët afganë”, shtoi Malala.

Aktivistja pakistaneze ishte qëlluar me plumb në kokë nga militantët talibanë në vitin 2012 sepse ajo bëri fushatë për arsimimin e vajzave.