Lutfi Haziri e pranon se shkak i rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 janë tubimet elektorale

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se janë në pritje të konfirmimit që qyteti që ai udhëheq të rikthehet në zonën e kuqe si shkak i rritjes së numrit të rasteve me COVID-19.

Haziri në një konferencë për media theksoi se në javën e fundit ka pasur rritje drastike të personave të infektuar me COVID-19 në Gjilan.

“Do të kthehemi në zonën e kuqe, nuk po flasim për mbyllje sepse ne e kemi kundërshtuar mbylljen e qyteteve dhe gastronomisë. Ne sot i kemi 247 raste aktive, drastike është rritja në javën e fundit është tregues i qartë që duhet t`i kushtojmë rëndësi masave nga IKSHP. Kemi trefishime të kontrolleve të pacienteve me Covid që janë në izolim në shtëpi dhe po ashtu kemi një rritje të rasteve të hospitalizuara që janë 47”, tha Haziri.

Kryetari i Gjilanit shtoi se zgjedhjet janë burimi kryesor i rritjes se rasteve me COVID-19, duke thënë se edhe numri i rasteve të vdekjeve është i madh.

“Po punojmë për një Gjilan pa Covid por përderisa nuk vij vaksinimi duhet të kemi kujdes duhet të punojmë që të parandalojmë. Kemi 111 të vdekur që nga fillimi i  pandemisë që do të mbetet një kronikë  e zezë për komunën tonë. Pa perjashtu që zgjedhjet janë burimi kryesor edhe pse po flasim për një periudhë tre javore, tash i kemi rastet dhe burimet e reja”, tha ai.

Haziri tutje tha se janë në pritje të 320 mostrave për COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.